Numërohen votat në Himarë, Tavo dhe Gjikuria ndjekin procesin. Kryeson socialisti

Politikë | 2 vite më parë

Kandidatët për kryetar të Himarës, socialisti Vangjel Tavo dhe rivali opozitar Petraq Gjikuria, iu bashkuan të hënën monitorimit nga afër të procesit që do shpallë fituesin mes tyre.

Grupet e numërimit e nisën vonë punën, pas mesnatës, për shkak të vonesave në mbërritjen e kutive nga qendrat e votimit, por edhe prej trajnimit paraprak.

Kutitë e para u hapën pas orës 00:35, më shumë se 5 orë e gjysmë pasi u mbyllën votimet.

Fleta e parë e votimit, nga zona e Piqerasit, shkoi për z. Tavo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve trajnoi anëtarët e grupeve të numërimit të angazhuar për zgjedhjet e pjesshme në Himarë. 8 grupet e trajnuara të numërimit u vendosën sipas radhës në 4 tavolina numërimi, për të administruar fletëvotimet nën kamerat monitoruese/regjistruese të instaluara posaçërisht.

“Ajo që vihet re është një lloj harmonie. Të dy kandidatët janë pranë njëri-tjetrit me gjithë shoqëruesit e tyre, madje shpeshherë janë parë duke shkëmbyer biseda,” raportoi për RTSH 24 gazetarja Afrovita Hysaj.

Në këto zgjedhje, KQZ-ja aplikoi vetëm identifikimin elektronik të zgjedhësve në 36 qendrat e votimit.

QV-të u hapën në orën 07:00 pa problematika dhe procesi i votimit përfundoi i qetë deri në orën 19:00.

Zgjedhjet në Himarë erdhën pasi KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit.

Nga përllogaritjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se deri në orën 19:00 votuan 8.678 zgjedhës në 36 qendrat e votimit që ka Himara. Kjo shifër përkthehet në 37.61%, më e lartë sesa në zgjedhjet e 14 majit 2023, kur pjesëmarrja ishte 34.27% me 7.821 votues gjithsej.

Rezultatet pas numërimit të kutive (në kohë reale në KQZ)

Ka nisur procesi i numërimit në KZAZ nr. 88 në stadiumin e Himarës. Nga kutitë e para nga 36 qendrat e votimit në total:

Total: 5.022 vota Vangjel Tavo (58.62%) / 3.545 vota Petraq Gjikuria (41.38%) / 124 vota të pavlefshme

  • Himarë: 2.132 vota Vangjel Tavo (46.11%) / 2.462 vota Petraq Gjikuria (53.59%) / 74 vota të pavlefshme
  • Hore Vranisht: 1.165 vota Vangjel Tavo (89.20%) / 141 vota Petraq Gjikuria (10.80%) / 20 vota të pavlefshme
  • Lukovë: 1.725 vota Vangjel Tavo (64.68%) / 942 vota Petraq Gjikuria (35.32%) / 30 vota të pavlefshme

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme