Nurellari: Rama në Greqi, për t’i paraprirë një bllokimi të mundshëm të integrimit
Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Greqi është komentuar nga politologu Adri Nurellari, i cili e ka cilësuar atë si një përpjekje për të paraprirë çdo bllokim potencial që mund të vinte nga Athina në proceset e integrimit.
Duke folur në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi, Nurellari tha se “Vizita e Kryeministrit Rama në Greqi është një përpjekje për të parandaluar ose paraprirë ndonjë bllokim potencial që mund të bëjë Greqia. Zakonisht këto vende anëtare nuk shprehen publikisht sepse presin që pengesën ta bëjnë vendet më të mëdha, por kur afrohet procesi mund të kthehen vetë në çështje.”
Ai e interpretoi vizitën si një intensitet diplomatik i Ramës për të rregulluar marrëdhëniet e dëmtuara mes dy vendeve, duke sjellë në vëmendje tensionet e fundit.
“Kjo është një situatë që ka paraprirë pas fërkimeve që kemi pasur me Greqinë, si dhe ato për zgjedhjet lokale, çështja e Himarës pra çështja ‘Beleri’, por edhe instrumentalizimi elektoral që Rama i bëri diasporës nga deklaratat që bëri në Athinë, të cilat u interpretuan si arrogante, si dhe marrëdhëniet që ka Rama vetë me Ankaranë.”
Sipas tij, vizita e Ramës në Athinë është një mesazh i qartë se Shqipëria synon të mbajë hapur kanalet e komunikimit me Greqinë, për të shmangur çdo pengesë në rrugën e integrimit evropian dhe për të adresuar çështjet e ndjeshme bilaterale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




