Obama uron Bidenin dhe Harrisin për fitore në zgjedhje

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama ka uruar Joe Bidenin, për zgjedhjen si president i ardhshëm amerikan dhe Zonjën e Parë, Jill Biden.
“Nuk do të mund të isha më i lumtur pa uruar Kamala Harrisin dhe Doug Emhoff, për zgjedhjen e Kamalas si nën-presidente e jona e ardhshme”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Biden ka shërbyer si nën-president amerikan gjatë udhëheqësisë së Obamas. Sipas tij, në këto zgjedhje, nën këto kushte që nuk janë përjetuar kurrë më parë, Amerika ka votuar në shifra rekorde.
“Kur të numërohet secila votë, presidenti i zgjedhur Biden dhe nën-presidentja Harris, do të sigurojnë një fitore historike dhe bindëse”.
Sipas tij, amerikanët do të jenë me fat që do të ta kenë Bidenin president, meqë kur ta marrë detyrën, ai do të përballet me sfida që nuk ka pasur asnjë president ndonjëherë, pandeminë e koronavirusit, ekonomi jo të barabartë ashtu sikurse sistemin e gjyqësorit, demokracinë në rrezik dhe klimën e rrezikuar.
“Unë e di se ai do të bëjë punën me interesat më të mira të secilit amerikan në zemër, pavarësisht a e kanë votuar”, ka thënë mes tjerash Obama.
Rrjeti televiziv amerikan, CNN, ka shpallur kandidatin demokrat, Joe Biden, president të Shteteve të Bashkuara. Mediat amerikane kanë thënë se Biden ka fituar në shtetin e Pensilvanisë, duke tejkaluar shifrën e 270 votave të Kolegjit Elektoral, që nevojiten për ta bërë atë presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Biden ka reaguar shpejt pas lajmit për fitore.
“Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur për të udhëhequr shtetin tonë fantastik. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, mirëpo ta premtoj këtë: Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve – pavarësisht nëse më keni votuar apo jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Fitorja e Bidenit, 77-vjeçar ka ardhur pas më shumë se tri ditëve të paqartësive, teksa zyrtarët zgjedhorë kanë numëruar votat përmes postës. Trump është presidenti i parë aktual që humb në procesin e rizgjedhjes, prej kohës së republikanit George H.W. Bush më 1992.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




