O’Brien: Liderët e Ballkanit të bëjnë më shumë për të çuar rajonin përpara

Rajon | 3 vite më parë

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë të enjten se ndërtimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimit kërkon kohë, dhe liderët e rajonit duhet të pranojnë që duhet të bëjnë më shumë për të çuar përpara rajonin.

I pyetur gjatë një aktiviteti të mbajtur nga Fondi Gjerman “Marshall”, nëse Perëndimi duhet të zgjedhë në mes të reformës dhe stabilitetit për rajonin e Ballkanit, dhe nëse ekziston një balancë në këtë drejtim, ai ka thënë se me proceset e shumta në këto vende duhet të punohet në faza të ndryshme.

Mes tjerash, O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit, me qëllim të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në të.

Në këtë drejtim, ai e ka vënë theksin te Plani i BE-së për rritje ekonomike – të prezantuar më 22 janar në Shkup – duke thënë se ai do të shërbejë si shtysë e re për këto vende në rrugën drejt integrimeve.

“Këto janë steroide për një ekonomi”, ka thënë ai, kur ka folur për fondet që do të mund t’i përfitojnë vendet e Ballkanit, në këmbim të kryerjes së reformave.

Mes tjerash, O’Brien e ka përmendur se në takimin e 22 janarit, e ka vërejtur që vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lodhura me premtimet e dhëna të BE-së për zgjerim, pa ndonjë rezultat konkret dhe beson që plani i ri do të ketë efekte praktike.

“SHBA-ja do t’i ndihmojë Ukrainës për të fituar”

Përgjatë adresimit të tij, O’Brien është fokusuar në luftën në Ukrainë, Ballkanin Perëndimor dhe çështje tjera me rëndësi madhore, sikurse avancimi i teknologjisë, migrimi dhe klima.

“Sfida jonë është këtë vit është të dëshmojnë që qeveritë e arsyeshme mund të japin rezultate”, ka thënë zyrtari amerikan, duke shtuar se në të kundërtën u hapet mundësia të tjerëve për të përhapur “slogane të rreme”.

Duke folur për pushtimin rus në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022, ai ka thënë se beson që Ukraina do të jetë në pozicion më të mirë deri në fund të 2024 dhe që SHBA-ja do t’i ndihmojë këtij vendi për të fituar.

Sipas tij, në Kongresin amerikan ekziston mbështetje e madhe për ndihmë të mëtutjeshme për Ukrainën, pavarësisht bllokadës aktuale në këtë institucion prej republikanëve konservatorë, të cilët nuk dëshirojnë ndarjen e më shumë ndihmave për këtë vend.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme