OBSH: Ëmbëlsuesi i popullarizuar aspartam do të shpallet rrezik i mundshëm i kancerit për njerëzit

Një ëmbëlsues artificial i popullarizuar, i përdorur në mijëra produkte në mbarë botën, duke përfshirë, akullore dhe çamçakëz, do të shpallet një rrezik i mundshëm i kancerit për njerëzit.
Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që merren me kërkimet për kancerin, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC), ka kryer një rishikim të sigurisë së ëmëbltuesit të quajtur aspartam dhe do të publikojë një raport muajin e ardhshëm.
Ata po përgatiten ta etiketojnë ëmbëlsuesin si “kancerogjen për njerëzit” ose “ndoshta kancerogjen për njerëzit”. Kjo do të thotë se ka disa prova që lidhin aspartamin me kancerin, por që është i kufizuar.
Rishikimi i sigurisë i IARC u krye për të vlerësuar nëse aspartami është apo jo një rrezik i mundshëm, bazuar në të gjitha provat e publikuara.
“IARC ka vlerësuar efektin e mundshëm kancerogjen të aspartamit. Pas kësaj, komiteti i përbashkët i ekspertëve për aditivët e ushqimit do të përditësojë ushtrimin e vlerësimit të rrezikut për aspartamin, duke përfshirë rishikimin e dozës së marrjes së pranueshme ditore dhe vlerësimin e ekspozimit dietik për aspartamin. Rezultati i të dy vlerësimeve do të vihet në dispozicion më 14 korrik 2023”, tha një zëdhënës i IARC.
Aspartami është përdorur gjerësisht që nga vitet 1980 si një ëmbëlsues tavoline dhe në produkte të tilla si pijet e gazuara dietike, çamçakëzët, drithërat e mëngjesit dhe shurupet e kollës. Ai është i autorizuar për përdorim globalisht nga rregullatorët që kanë shqyrtuar të gjitha provat e disponueshme dhe prodhuesit kryesorë të ushqimeve dhe pijeve e kanë mbrojtur për dekada me radhë përdorimin e tij.
Ekzistojnë prova ekzistuese që ngrenë pyetje në lidhje me ndikimin e mundshëm të aspartamit në rrezikun e kancerit. Një studim në Francë që përfshin rreth 100,000 të rritur vitin e kaluar sugjeroi se ata që konsumonin sasi më të mëdha të ëmbëltuesve artificialë, përfshirë aspartamin, kishin një rrezik pak më të lartë të kancerit. Një studim nga Instituti Ramazzini në Itali në fillim të viteve 2000 raportoi se disa kancere te minjtë ishin të lidhura me aspartamin./ The Guardian
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




