OBSH thirrje donatorëve: Duhen fonde, 339 milionë njerëz përballen me urgjenca shëndetësore në gjithë botën

339 milionë njerëz në të gjithë botën kanë nevoja humanitare dhe urgjencash shëndetësore, duke u rritur me 25 % krahasuar me 2022. OBSH ka nisur apelin për mbledhjen e fondeve për 2023, ku nevojiten 2.54 miliardë dollarë për të ofruar ndihmë për miliona njerëz në mbarë botën që përballen me urgjenca shëndetësore.
Aktualisht, OBSH-ja po i përgjigjet një numri të paprecedentë urgjencash shëndetësore të ndërthurura me fatkeqësitë e lidhura me ndryshimet klimatike si përmbytjet dhe pasiguria ushqimore, lufta në Ukrainë dhe shërbimi shëndetësor në zonat e konfliktit si në Jemen, Afganistan, Siri dhe Etiopi veriore.
“Kjo konvergjencë e paprecedentë e krizave kërkon një përgjigje të paprecedentë. Më shumë njerëz se kurrë më parë përballen me rrezikun e afërt të sëmundjes dhe urisë dhe kanë nevojë për ndihmë tani. Bota nuk mund të shikojë larg dhe të shpresojë që këto kriza të zgjidhen vetë. I bëj thirrje donatorëve që të jenë bujarë dhe të ndihmojnë OBSH-në për të shpëtuar jetë, për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve brenda dhe përtej kufijve dhe për të mbështetur komunitetet ndërsa rindërtohen”, tha Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
OBSH aktualisht po i përgjigjet 54 krizave shëndetësore në mbarë botën, 11 prej të cilave klasifikohen si grada 3, niveli më i lartë i urgjencës së OBSH-së,.
Në vitin 2022, OBSH ofroi ilaçe, furnizime të tjera, trajnime për mjekë dhe punonjës të tjerë shëndetësorë, vaksina, mbikëqyrje të zgjeruar të sëmundjeve, klinika të lëvizshme, mbështetje për shëndetin mendor, konsultime për shëndetin e nënave dhe shumë më tepër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



