Ofronte bursa false për të studiuar në SHBA, zbulohet skema e mashtrimit. Nën hetim zyrtarja e arsimit

Aktualitet | 2 vite më parë

Departamenti i Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës pas hetimeve të përbashkëta me zyrtarë të zbatimit të ligjit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë ka zbuluar skemën e mashtrimit për ofrimin e bursave për studentët, për studime në SHBA.

Për këtë ngjarje, policia ka ekzekutuar vendimin e gjykatës duke vendosur nën hetim  një shtetase, zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.  

“Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për ushtrimin e kontrollit në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.  

Shtetasja V. L. është vënë në hetim, bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

Ndërkaq, më herët në një postim në rrjetin social në Facebook, ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se nuk ka asnjë lidhje me të ashtuquajturin projekt Let’s Talk Together About US24”, që rezultoi skemë mashtrimi.

“Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.

U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën”, shkruan në rrjetin e saj zyrtar, ambasada amerikane në Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme