OKB, Guterres: Dëmtimi i i termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia, do të ishte vetëvrasje

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres tha sot se dëmtimi i termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë, të pushtuar nga Rusia, do të ishte “vetëvrasje”. Duke folur me gazetarët pas bisedimeve në Lviv, Guterres thotë se ishte “shumë i shqetësuar” për situatën në uzinë, duke shtuar se duhet çmilitarizuar.
Guterres shton se objekti nuk duhet të përdoret si pjesë e “ndonjë operacioni ushtarak” dhe se “marrëveshja nevojitet urgjentisht për të rivendosur infrastrukturën civile në Zaporizhzhia, për të garantuar sigurinë e zonës”.
Ndërsa presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, tha se bota nuk dëshiron “një Çernobil tjetër”, duke paralajmëruar për mundësinë e një aksidenti bërthamor në Zaporizhzhia, nëse konflikti vazhdon atje. Komentet ai i bëri në një konferencë shtypi në Lviv, pas bisedimeve me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe shefin e OKB-së, Antonio Guterres.
Erdogan tha se treshja diskutoi mbi mënyrat për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Ai thotë se ata diskutuan për shkëmbimin e robërve të luftës midis Ukrainës dhe Rusisë. Turqia kohët e fundit ka vepruar si ndërmjetëse midis dy vendeve, duke përfshirë çështjen e zhbllokimit të eksporteve të grurit nga portet e Ukrainës. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




