OKB-ja akuza Rusisë: Po bllokon hyrjen në zonat e goditura nga përmbytjet

Botë | 3 vite më parë

OKB-ja ka akuzuar Rusinë se ka refuzuar të lejojë dërgesat e ndihmave në zonat e kontrolluara nga Moska të prekura nga përmbytjet pas shkatërrimit të digës Kakhovka pothuajse dy javë më parë.

OKB u ka bërë thirrje autoriteteve ruse që të veprojnë në përputhje me detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.

“Qeveria e Federatës Ruse deri më tani ka refuzuar kërkesën tonë për të hyrë në zonat nën kontrollin e përkohshëm ushtarak të saj. OKB-ja do të vazhdojë të angazhohet për të kërkuar aksesin e nevojshëm. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve ruse të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Ndihma nuk mund t’u mohohet njerëzve që kanë nevojë për të”, tha në një deklaratë  koordinatorja humanitare e OKB-së për Ukrainën, Denise Brown.

Deklarata vjen pasi autoritetet ukrainase dhe ruse thanë se numri i të vdekurve nga përmbytjet ishte rritur në 52.

Zyrtarët rusë bën me dije se 35 persona kishin vdekur në zonat e kontrolluara nga Moska, ndërsa Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se 17 kanë humbur jetën dhe 31 të tjerë janë zhdukur.

Sakaq, më shumë se 11,000 persona janë evakuuar nga të dyja anët, si pasojë e përmbytjes së digës Nova Kakhova.

Shembja e digës së kontrolluar nga Moska më 6 qershor shkaktoi përmbytje në të gjithë Ukrainën jugore dhe pjesë të pushtuara nga Rusia të rajonit Kherson, duke shkatërruar shtëpitë, tokat bujqësore dhe duke ndërprerë furnizimet për banorët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme