“Open Cinema”, për të pestin vit në Kukës, prodhime kinematografike shqiptare pjesë e rëndësishme e aktivitetit
Kukësi po njeh vitet e fundit një shtim të aktiviteteve kulturore, duke ofruar për publikun një larmi organizimesh dhe ngjarjesh artistike. Në këtë kuadër, “Open Cinema” u rikthye për të pestin vit në qytet, duke sjellë një atmosferë festive për të gjitha grupmoshat.
Nata e parë nisi me performancat e maskotave, të cilat krijuan një atmosferë të veçantë për fëmijët. Producenti dhe kineasti Skënder Jaçe tha se prodhime kinematografike shqiptare që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur janë bërë pjesë e rëndësishme e aktivitetit “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”, e cila ndalet për të pestin vit në Kukës.
“Risia në këtë vit është pse ne kemi bërë një përzgjedhje shumë të bukur qoftë me filmat e fundit të kinemasë shqiptare”, tha Jaçe.
Për moderatoren dhe aktoren e njohur Marjana Kondin, ky aktivitet shërben jo vetëm si një hapësirë argëtimi, por edhe si një mundësi për t’u njohur më nga afër me kulturën e teatrit dhe filmit.
“Open Cinema është një mision kaq i bukur sa s’ka. Unë e them gjithmonë që nuk është emision, nuk është shfaqje, por është një mision i bukur, një mision, një kulturë ku të gjithë njerëzit duhet të kulturohen, sidomos fëmijët, me kulturën e teatrit dhe me kulturën e filmit”, tha ajo.
Edhe qytetarët e Kukësit e vlerësuan organizimin, duke e konsideruar një mundësi të mirë për të sjellë më shumë art dhe kulturë në qytet.
“Kinemaja shëtitëse” do të vijojë aktivitetet edhe për dy net të tjera në sheshin “Skënderbej”, ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë filma shqiptarë dhe të shijojë performanca të tjera artistike.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




