Opozita 2 orë protestë para kryeministrisë, Berisha e Meta njëzëri: S’ndalemi, largojmë Ramën me çdo kusht

Politikë | 4 vite më parë

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qindra qytetarë iu bashkuan protestës paqësore të thirrur nga PD-ja e Rithemelimit para kryeministrisë. Me të njëjtin skenar sikurse edhe në protestat e tjera, aleatët Sali Berisha dhe Ilir Meta mbajtën fjalën para protestuesve, ku përsëritën vendosmërinë për largimin e Ramës nga pushteti “me çdo kusht”.

Nga podiumi i improvizuar para godinës qeveritare, duke e konsideruar “revolucion” aksionin e opozitës, Berisha u shpreh se ata nuk do të ndalen. Një koment Berisha e dha edhe në lidhje me “betejën” që po zhvillohet në Gjykatën e Apelit në lidhje me vulën e PD-së, teksa akuzoi Ramën se synimi i tij është përjashtimi i tyre nga zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Ne jemi këtu për t’i thënë: Edi Rama, sot ke para, ke banka, ke çdo gjë. Por me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve. Me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtij revolucioni. Sot, pasi asgjësoi PS-në, i hoqi të drejtat, votën dhe çdo gjë. E uzurpoi me sektin antishqiptar të Rilindjes, ai kërkon të asgjësojë PD-në. Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama, ne do të përjashtojmë nga Shqipëria!Ne jemi këtu sa është toka. Revolucioni ka misionin e madh të demokracisë, lirisë dhe shpëtimit të shqiptarëve”, tha ai.

Berisha: Rama kërkon të asgjesojë PD-në, ne do ta përjashtojmë nga Shqipëria

Me të njëjtën gjuhë, edhe Meta theksoi se ata nuk do të ndalen deri në largimin e Ramës, ndërsa po ashtu e akuzoi këtë të fundit se kërkon të marrë drejtimin e Partisë Demokratike.

“Këtij të marri nuk i intereson që uzurpoi PS që e shndërroi në një bandë plaçkitëse me deputetë që janë vetëm kartona dhe nuk kanë asnjë bindje politike dhe asnjë kujtesë sa i takon të kaluarës. Tani kërkon të marrë edhe vulën e PD”, tha Meta.

Meta: Regjimin e Ramës do ta rrëzojmë me protesta e zgjedhje! Kërkon të marrë edhe vulën e PD

Krah Berishës, në protestë ishin edhe kandidati për kryebashkiak i Elbasanit, Luçiano Boçi, dhe deputetë të Rithemelimit.

Për shkak të protestës, qarkullimi i automjeteve u ndalua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin “Bajram Curri” prej orës 06:00 deri në përfundim të tubimit.

Opozita ka zhvilluar edhe më herët protesta mbi atë të cilin e kanë konsideruar si Revolucionin demokratik, ku Berisha ka deklaruar se PD është forcë politike e pamposhtur, dhe nuk do të ndalet deri në rrëzimin e Kryeministrit Edi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme