Organizata ‘Doktorët Pa Kufij’ akuzon Izraelin: Ka shkatërruar infrastrukturën e ujit në Gazë, e përdor si mjet lufte

Botë | 6 muaj më parë

Organizata ‘Doktorët Pa Kufij’ ka akuzuar Izraelin se po përdor ujin si armë në Gazë duke e privuar sistematikisht popullsinë nga uji i pastër, në atë që e përshkruan si një fushatë ndëshkimi kolektiv dhe pjesë të gjenocidit kundër palestinezëve.

Organizata thekson se Izraeli ka shkatërruar ose dëmtuar gati 90 për qind të infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve në Gazë, duke përfshirë impiantet e desalinizimit, puset, tubacionet dhe sistemet e kanalizimeve.

Claire San Filippo, menaxhere emergjente e MSF, deklaroi se autoritetet izraelite e dinë shumë mirë se pa ujë jeta mbaron, por ata kanë shkatërruar qëllimisht infrastrukturën e ujit ndërsa njëkohësisht kanë bllokuar hyrjen e furnizimeve të nevojshme për ujë.

Nga ana tjetër, agjencia izraelite COGAT e hodhi poshtë akuzën duke e quajtur “të pasaktë faktikisht”. Sipas të dhënave të publikuara nga COGAT, tri tubacione nga Izraeli furnizojnë aktualisht mes 30.000 dhe 32.000 metra kub ujë në ditë, tubacioni nga Egjipti shton 5.000 metra kub, ndërsa kapaciteti i desalinizimit lokal në Gaza jep 18.400 metra kub.

Kjo bën një total prej rreth 55.400 metra kub në ditë nga këto burime. Me shtimin e ujit nga puset lokale, furnizimi total në Gaza arrin mbi 70.000 metra kub ujë në ditë.

Duke marrë parasysh një popullsi prej rreth 2.1 milionë banorësh, kjo sasi korrespondon me afërsisht 33 litra ujë për person në ditë.

COGAT thekson se ky nivel tejkalon pragun minimal humanitar që Organizatës Botërore të Shëndetësisë e konsideron të mjaftueshëm në raste emergjence, edhe pse mbetet nën nivelin optimal prej 50 deri në 100 litra për person në ditë.

Agjencia izraelite shton se Izraeli jo vetëm që nuk po e pengon aksesin në ujë, por përkundrazi lehtëson dhe siguron furnizim uji nga burimet e veta.

Situata e ujit në Gaza mbetet e vështirë dhe e debatuar, me sfida të konsiderueshme në akses, cilësi dhe distribucion, sidomos në zonat veriore dhe në kampet e zhvendosurve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme