Osmani: Traktat për mbrojtjen e ndërsjelltë! Begaj: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO, të njëjtin vizion për të ardhmen drejt BE

Politikë | 4 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj dhe homologia e tij nga Kosova, Vjosa Osmani pas takimit “tetë a tetë”, kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për shtyp. Në fjalën e saj, Presidentja Osmani ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës në të gjitha periudhat.

Duke u ndalur të bashkëpunimi dy-palësh, Osmani theksoi se është shumë e rëndësishme Kosova dhe Shqipërinë te kenë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë në rast të cenimit të dy shteteve.

Më tej, Osmani komentoi dhe situatën në veri të Kosovës, duke deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të japë sinjale më të qarta kundrejt Serbisë për të ndaluar veprimet që cenojnë sigurinë në rajon.

“Ju falënderoj që po vazhdoni traditën e presidentëve nga Shqipëria që nisin vizitën zyrtare në Kosovë. Uroj Shqipërinë për arritjet në rrugën drejt integrimit evropian. Ne në Kosova i gëzohemi të arriturave të Shqipërisë. Shqipëria i ka dhënë mbështetje të parezervë Kosovës në të gjitha periudhat, ndërkohë keni qenë zëri jonë aty ku ne nuk jemi të përfaqësuar. Do të intensifikojmë edhe më shumë marrëdhëniet në të gjitha fushat. Objektivi ynë strategjik mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO prandaj do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për BE deri në fund të këtij vitit.

Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe për ne. Siguria është shndërruar në prioritet. Ne po bëjmë koordinim të plotë dhe të afërt me partneret tanë strategjik që rajoni ynë të ndihet çdo ditë e më i sigurt.

Sa i takon bashkëpunimit dy palësh është më rëndësi që me Shqipërinë të kemi një traktat për mbrojtje  të ndërsjelltë, në rast të cenimit të dy shteteve tona. Kam disa vite që kam kërkuar një praktike të tillë. Ndaj mendoj që është koha të bëjmë hapat e duhur.

Për situatën në veri të Kosovës, institucionet tona janë të përkushtuara që të vazhdojnë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë ashtu siç jemi koordinuar deri më tani. Po bëhen përgatitjet për të zbatuar në praktikë marrëveshjet dhe trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve pa dallime. Presim që BE të jetë me i zëshëm. Presim sinjale të qartë nga BE të jepen në raport me Serbinë e cila duhet të ndalojë këto veprime që cenojnë sigurinë në rajon”, tha Osmani.

Ndërsa Presidenti Begaj në fjalën e tij, deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën është një premtim i pambajtur. Ai siguroi homologen Osmani për mbështetjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Jam shumë i lumtur për ftesën tuaj. Vij në shtëpi. Në shtëpinë e shqiptarisë. Aty ku shtëpia është e zotit dhe e mikut. Dy dialekte dhe një gjuhë. Dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë patriotike për rrugën drejt Brukselit.

Së bashku fituam luftën dhe bashkë do të luftojmë për të ruajtur paqen. Kjo është motoja në çdo kulm kulle dhe çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Dardani.

Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijim e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë dhe identitet kombëtar nuk do arrijë të zbehë përpjekjen. Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Kosova dhe Shqipëria gëzojnë të njëjtin vizion dhe aspirata, të ardhmen drejt BE.

UÇK faqe e ndritur që bën krenar çdo shqiptar. Hapja e negociatave me BE për Shqipërinë një hap shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar. Unë sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha Begaj.

Presidenti Begaj gjatë vizitës dy-ditore në Kosovë, u mirëprit nga homologia Osmani në një ceremoni zyrtare dhe më pas zhvilluan një takim “tetë a tetë”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme