“Pa bashkim, Rama do të mbretërojë”, Çupi: Mbështes kandidatin e primareve për Matin

Politikë | 4 vite më parë

Deputetja e Matit, Dhurata Çupi, e ka të qartë se pa bashkim, rezultati në zgjedhje nuk do të jetë ai që demokratët duan.

“Nëse nuk gjendet mekanizëm bashkimi i forcave opozitare, ne do ta kemi të vështirë të fitojmë shumë bashki.- u shpreh zonja Çupi gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë”.

Megjithatë, ajo e ka të qartë gjithashtu se kë do të mbështesë në zgjedhjet lokale.

“Kandidati i dalë nga primaret është me integritet, me dinjitet, Skënder Gjuci. Nga grupimi tjetër akoma nuk ka kandidatë në dijeninë time. Zoti Gjuci ka qenë pjesë e fushatës në 2021. Një nga demokratët më të spikatur dhe do të ketë mbështetje të madhe për të fituar bashkinë e Matit. Do të angazhohem në fushatën e tij. Në Mat do të mbështes Skënder Gjucin.”- tha zonja Çupi.

Kur pyetet nëse ka menduar të kalojë me grupin e zotit Berisha, Dhurata Çupi nuk jep një përgjigje të prerë, por e di se çfarë ndodh, nëse nuk ka bashkim: “Është një kërkesë e vazhdueshme  e zgjedhësve. PD në Mat është pothuajse i gjithë shtabi elektoral që më ka mbështetur mua atje. Në duhet të jemi bashkë. Nëse nuk jemi bashkë, Edi Rama do të mbretërojë në Shqipëri.”- tha zonja Çupi për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë”.

Ajo e konsideron 14 Majin si një rast i mirë që dibranët t’u besojnë demokratëve drejtimin e bashkive.

“Dibranët janë të mençur. Siç votuan në shumicë opozitën në 2021, mendoj që nuk do të ketë asnjë ndikim Rruga e Arbrit, edhe nëse përfundon para zgjedhjeve. Nëse do të ketë ndikim, do të jetë negativ. Nuk ka bërë qeveria për Dibrën asgjë. Është qarku i parë për largimin e të rinjve, më i shpopulluari.”- u shpreh deputetja e Matit, Dhurata Çupi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme