“Pa fatura nuk ka karburant”, Tatimet rikujtojnë shitësit e naftës të respektojnë ligjin fiskal

Për të gjithë tatimpaguesit që operojnë në sektorin e tregtimit të hidrokarbureve dhe tregtojnë me shumicë ose pakicë naftë apo nënprodukte të saj apo dhe gaz natyror të lëngshëm, dokumentimi i shitjes së sasisë së naftës bruto, produkteve të naftës dhe gazit do të bëhet vetëm me faturë të lëshuar në përputhje me përcaktimet e kuadrit ligjor në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit. Ky është urdhri që ka lëshuar drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për këtë sektor.
Fjala është për të gjitha furnizimet pa para në dorë, të cilat sipas detyrimit ligjor paguhen vetëm nëpërmjet sistemeve bankare, subjektet që operojnë në fushën e hidrokarbureve duhet të instalojnë dhe të përdorin një zgjidhje të përshtatshme softwerike ose të certifikojnë sistemet e tyre fiskale nëse aktualisht kanë krijuar një të tillë.
Detyrimi ligjor për të lëshuar faturë elektronike për të gjitha furnizimet pa para në dorë ka filluar më datë 1 korrik 2021.
Faturat elektronike (e-fatura) pa para në dorë lëshohen në të gjitha rastet e funizimeve me shumicë, në rastin e shitjes fillestare të tollonave, në rastin e faturave përmbledhëse për shitjet me kartën e kompanisë dhe në të gjitha rastet kur fatura paguhet me bankë. Pajisjet fiskale ekzistuese, janë të destinuara për lëshimin e faturave vetëm për transaksione që kryhen me para në dorë.
Kuponi i lëshuar nga këto pajisje nuk zëvendëson faturën tatimore dhe nuk duhet të konfondohet me faturën elektronike (e-invoice).
Në këto kushte, të gjitha pikat e shitjes me pakicë të karburanteve duhet të pajisen me dispensera që operojnë vetëm nën regjimin automatik dhe nën kontrollin e sistemit fiskal të lidhur detyrimisht me një zgjidhje software-ike të certifikuar.
Sipas autoriteteve fiskale, furnizimi me karburant duhet të jetë i lidhur me regjistrimin automatik të shitjeve dhe duhet të punojë nën rregullin e detyrueshëm “PA FATURË, S’KA KARBURANT”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




