Paditë për Meta- Kryemadhi në SPAK, kryetari i PL: Rama do të përfundojë në burg

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë së Lirisë u shpreh se nuk e tremb asnjë padi në SPAK ndaj tij apo ish kryetares së LSI-së, bashkëshortes Monika Kryemadhi. “Përpjekjet e Edi Ramës për të frikësuar politikanë të caktuar të opozitës që ata të mbyllin gojën, se ai do t’u ndërsejë SPAK-un, krijesën e tij sipas tij, janë dëshpërime të një njeriu, i cili e nisi si Sakashvilli dhe ashtu do ta përfundojë.”- u shpreh zoti Meta, duke e krahasuar kryeministrin me ish presidentin gjeorgjian, që përfundoi në burg për abuzim me pushtetin. Në këtë pikë, zoti Meta flet dhe për raportet e tij me Fondacionin Soros. 

PJESË NGA INTERVISTA E KRYETARIT TË PARTISË SË LIRISË, ILIR META PËR GAZETAREN ELONA MEÇO, NË EMISIONIN “PA CENSURË”

Elona Meço: Jeni dakord me qendrimon e mbajtur nga PD se SPAK është një seksion i PS, që po përdoret për gjah ndaj opozitës?

Ilir Meta: Rama e ka thënë vetë se SPAK-u është një krijesë e PS. Në funksionet që kam patur, kam bërë gjithçka për të parandaluar kapjen e drejtësisë dhe shkatërrimin e reformës. Tani bëhet një përpjekje e madhe për të shpikur fajtorë dhe ngjarje, që nuk e forcojnë shtetin e së drejtës. Përkundrazi!

Elona Meço: Aktualisht në SPAK ka një padi  për ju dhe zonjën Kryemadhi. Me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, prisni që të ketë ndonjë zhvillim surprizë?

Ilir Meta: Nuk kam asnjë shqetësim për asnjëlloj surprize. As nga SPAK, as nga Prokuroria, nga asnjë SPAK në botë, sepse e di që në jetën time kam qenë një njeri që ka respektuar Kushtetutën dhe ligjin e vendit. Përpjekjet e Edi Ramës për të frikësuar politikanë të caktuar të opozitës që ata të mbyllin gojën, se ai do t’u ndërsejë SPAK-un, krijesën e tij sipas tij, apo rrugaçë siç bëri në rastin e një agjenti të policisë për të trembur opozitën, këto janë dëshpërime të një njeriu, i cili e nisi si Sakashvilli dhe ashtu do ta përfundojë.  

Elona Meço: Këtë që ju e quani Ramaformë, PD e quan reformë të dështuar sorosiane të drejtësisë. Ju nuk e përmendni prej kohësh më. Keni një marrëdhënie të re me Fondacionin Soros?

Ilir Meta: Nuk kam asnjë marrëdhënie të re me askënd. Kam një marrëdhënie shumë solide me Kushtetutën e vendit tim në çdo pozicion që kam patur. Nuk kam asnjë shqetësim, apo problem. Nuk ndikohem nga askush për të respektuar Kushtetutën e vendit.

Elona Meço: Kur është hera e fundit që keni takuar një përfaqësues nga Fondacioni Soros?

Ilir Meta: Hera e fundit është kur kam takuar Aleks Soros, që më ka kërkuar takim kur kam qenë president, para 3 vitesh. Kjo është bërë publike. Kemi qenë në një aktivitet të ftuar nga Presidenti Makron në Paris. Me ka kërkuar ai takim, meqë unë e kisha goditur fondacionin Soros në atë kohë për çështje të reformës në drejtësi. Unë e kam protur në zyrë. Ka qenë atëherë edhe rasti Dvorani, o shpjegova pse u krijua kjo situatë, pse u krijuan këto manipulime, pse po ndodhin këto fallsifikime etj, ai ka vënë duart në kokë nga kjo gjë që po ndodhte. Ka shprehur mirëkuptim për shqetësimet e mia dhe nuk e ka besuar sesi mund të ndodhte një gjë e tillë. Që atëherë nuk kemi patur asnjë komunikim. Nuk kam frikë të takoj askënd për t’i sqaruar pozicionin tim, nëse dikush kërkon të takohet me mua. Nuk kam frikë të luftoj askënd, që bie ndesh me interesat e vendit tim, kushtetutës apo me çështje që kanë të bëjnë me bindjet e mua, karakterin dhe dinjtetin tim. Siç i respektoj miqtë, bashëpunëtorët, respektoj dhe kundërshtarët, sepse politika ka rregullat e saj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme