Pandemia godet transportin hekurudhor, ulet me 42% volumi i mallrave

Ekonomi | 6 vite më parë

 Në muajin nëntor të këtij viti, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 2.339 mijë ton-kilometër, ose 42.8% më pak krahasuar me nëntorin e vitit 2019.

Rënie të madhe volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë shënoi edhe përgjatë 11-mujorit.

Sipas INSTAT, në 11-mujorin e vitit 2020, volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 23.279 mijë tonkilometër, duke u ulur me 42,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

Ndërkohë, në fund të muajit tetor të këtij viti është finalizuar edhe procesi përzgjedhës për kompaninë që do të ndërtojë hekurudhën Tiranë-Durrës, me degëzim në Rinas, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë nisjes së punimeve për këtë vepër të rëndësishme dhe të shumëpritur prej vitesh. Ajo do të jetë kompania italiane INC S.P.A, e cila paraqiti ofertën më të ulët në shumën 69.7 milionë euro u shpall fituese dhe do të ndërtojë linjën hekurudhore.

Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës parashikon që krahas ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës nëpërmjet përmirësimit të karakteristikave gjeometrike dhe operacionale të vijës hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.

Ky projekt paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt aeroportit “Nënë Tereza” nëpërmjet përdorimit të trenit që do konkurrojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, duke ndikuar edhe në përmirësimin e qarkullimit të makinave në oraret e pikut të lëvizjes./atsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme