Papa Françesku apel Europës për Ukrainën: Duhen “rrugë të guximshme paqësore”

Papa Françesku i ka bërë thirrje Europës që të ndërhyjë për të pajtuar dhe për të gjetur “rrugë të guximshme paqësore” që do i jepnin fund luftës në Ukrainë.
Apeli i tij erdhi të mërkurën pas mbërritjes në Portugali me rastin e Ditës Botërore të Rinisë. Kreu i Kishës Katolike tha se të rinjtë duhet të marrin stafetën për të ndërtuar së bashku të ardhmen.
“Po lundrojmë në ujërat e stuhishme të oqeanit të historisë dhe ndiejmë nevojën për rrugë të guximshme paqësore. Shpresa ime është që Dita Botërore e Rinisë, për “Kontinentin e Vjetër” e të moshuar, të jetë impuls për një hapje më universale.
Ëndërroj një Europë, në zemër të Perëndimit, e cila përdor talentet e veta të pamasa për të zgjidhur konfliktet dhe për të ndezur llambat e shpresës. Një Europë që përfshin popuj e persona dhe nuk rend pas ideologjive,” u shpreh Papa Françesku.
Dita Botërore e Rinisë u shpall në vitet 1980 nga Shën Papa Gjon Pali II dhe rikthehet në Europë për herë të parë pas vitit 2006.
Ndërkohë që qëllimi i Ditës së Rinisë dikur ishte nxitja e besimit te katolikët e ardhshëm, organizatorët në Portugali presin 1 milion vizitorë nga mbi 200 shtete. Ndër të pranishmit do të ketë edhe të rinj nga Ukraina dhe Rusia.
Kreu i Kishës Katolike ka kërkuar të luajë rol ndërmjetësues në konfliktin Ukrainë-Rusi, por edhe është kritikuar për pozicionin ndaj Rusisë, duke mos e fajësuar atë drejtpërdrejt për nisjen e luftës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




