Papa u kërkon falje indigjenëve kanadezë: Më vjen keq për asimilimin tuaj, gabim katastrofik

Botë | 4 vite më parë

Papa Françesku u kërkoi falje indigjenëve (vendasve) kanadezë në tokën e tyre për rolin e Kishës në vitet 1881 dhe 1996 në shkollat ​​ku fëmijët indigjenë abuzoheshin seksualisht dhe vriteshin. Papa e quajti këtë një ‘gabim katastrofik” që kishte si qëllim asimilimin kulturor të indigjenëve.

Papa kërkoi falje për mbështetjen që Kisha i jepte në atë kohë “mentalitetit kolonizues”  dhe bëri thirrje për një hetim “serioz” të shkollave për të ndihmuar të mbijetuarit dhe pasardhësit të shërohen.

“Me turp dhe pa mëdyshje, me përulësi kërkoj falje për të keqen e kryer nga kaq shumë të krishterë kundër popujve indigjenë. Më vjen keq për mënyrat në të cilat, për fat të keq, shumë të krishterë mbështetën mentalitetin kolonizues të fuqive që shtypën popujt indigjenë. Përballë kësaj të keqeje të mjerueshme, Kisha bie në gjunjë përpara Zotit dhe i lutet atij falje për mëkatet e fëmijëve të saj,” tha Papa Françesku.

Udhëheqësit indigjenë të veshur me veshjet tradicionale e përshëndetën Papën dhe e mirëpritën me brohoritje, daulle, vallëzime dhe këngë të kulturës së tyre.

Një pankartë e kuqe me emrat e fëmijëve të zhdukur u mbajt përpara Papës, i cili e puthi atë.

Midis viteve 1881 dhe 1996 më shumë se 150,000 fëmijë indigjenë u ndanë nga familjet e tyre dhe u sollën në shkolla me konvikte. Shumë fëmijë u vdiqën nga uria, u rrahën sepse flisnin gjuhën e tyre amtare dhe u abuzuan seksualisht në një sistem që Kanadaja sot e quan  “gjenocid kulturor”.  Shumica e shkollave drejtoheshin nga urdhrat fetarë katolike romake të priftërinjve dhe murgeshave.

Në 2021 u zbuluan eshtrat e 215 fëmijëve në një ish shkollë rezidenciale në British Columbia. Që atëherë, mbetjet e dyshuara të qindra fëmijëve të tjerë janë zbuluar në ish shkolla të tjera rezidenciale anembanë vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme