Parabola e Roche, nga “Teatri i Ëndrrave” në punëtor llaçi

Dikur bënte pjesë në njërin prej ekipeve që bënë historinë e Premier League-s të viteve 2000, por tani e shikon veten në një kantier ndërtimi. Kjo është historia Lee Roche.
Ish-mbrojtësin e Manchester United të drejtuar nga Sir Alex Ferguson duket se nuk e ka ndihmuar shumë fama e futbollistit për të bërë një jetë “të lehtë”. Edhe pse duhet nënvizuar fakti se Roche numëron vetëm pesë paraqitje me “Djajtë e Kuq” madje njërën prej tyre e ka në Ligën e Kampioneve ku në 2003 sfidoi Deportivo La Koronjën.

Për Roche karriera si futbollist nuk ishte pozitive pasi largimi nga “Old Trafford” nuk i solli fat duke bërë kështu që pas disa aventurash në disa klube të tjera, në moshën 27-vjeçare, të mbyllte “llogarinë” me futbollin e luajtur.
Roche u transferua në 2003 me ekipin e Burnley-t dhe pas dy vitesh shkoi për të luajtur me ekipin e Wrexham. Në 2007 ai firmosi për ekipin amator të Droylsden ku dhe kaloi katër vitet e fundit si lojtar.
Tani në moshën 42-vjeçare Roche pranon se kurrë nuk kishte menduar se karriera e tij do të mbyllej në atë mënyrë. ”Kur firmos për një klub si United nuk e mendon kurrë se do të mbyllësh karrierën siç bëra unë. Mendon se do të tërhiqesh në moshën 35-vjeçare. Por mësohesh me gjithçka dhe tani ja ku jam në një kantier ndërtimi. Kuptova se më duhej të nisja të punoja dhe tani jam pjesë e këtij kantieri prej 3 vitesh. Në jetë mësohesh me gjithçka”, tregon Roche.

Një tjetër ndeshje të madhe që kishte zhvilluar me fanellën e United, Roche tregon se ishte ajo me Newcastle. Në atë kohë për “Qymyrxhinjtë” luante në majën e sulmit Alan Shearer. “Mbaj mend se në atë takim u thirra shpesh herë nga Sir Alex. Më jepte udhëzime si të frenoja Alan-in”, tregon Roche.
Mes të tjerash ai kujton edhe një tjetër episod në lidhje me atë ndeshje. “Ishim në aeroportin e Newcastle për të pritur avionin që do të na kthente në Manchester dhe dikush mu afrua për të mër kërkuar një autograf. Mendonte se isha Nicky Butt dhe unë firmosa”, tregoi 42-vjeçari.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




