Parku Shebenik-Jabllanicë, rreth 21 mijë vizitorë në këtë sezon turistik

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë vijon të jetë një ndër destinacionet turistike të preferuara nga turistët vendas e të huaj edhe në stinën e vjeshtës, shkruan ATSH.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla publikoi pamje nga ky park dhe turistët që e kanë vizituar atë ditët e fundit.
“Çdo ditë më shumë parku kombëtar i Shebenikut po vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj. Sipas administratorit të këtij parku numri i vizitorëve në këtë sezon ka arritur në rreth 21 mijë vizitorë. Destinacionet më të frekuentuara janë: Liqeni i Fushë-Studnës, Stebleva, Maja e Kallkanit, Liqenet akullnajore të Rrajcës, Maja e Shebenikut dhe Qarrishta”, tha Balla.
Çdo fundjavë parku frekuentohet nga grupe të ndryshme, të cilët përveç ngjitjes, bëjnë promovimin e resurseve të zonës, madje janë edhe shumë miqësorë ndaj mjedisit.
Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, kullotat, tokat bujqësore etj. Në këtë park turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
Moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe kafshët e egra të shtohen për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




