Parlament, shqyrtohet projektligji “Për bashkëqeverisjen”

Komisioni për Ekonominë dhe Financën shqyrtoi të mërkurën në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për bashkëqeverisjen”.
E pranishme në punimet e komisionit, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh se, “projektligji përbën një nismë për rikonceptimin dhe riorganizimin institucional të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, me qëllim përfshirjen e qytetarëve, jo vetëm në procedurat administrative që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat dhe interesat e tyre vetjake, por edhe në proceset e tjera politikëbërëse dhe vendimmarrëse”.
“Ky mekanizëm vjen si një instrument barazie për të gjithë qytetarët dhe mundëson shërbime më të mira publike dhe transparencë më të lartë”, tha Spiropali.
Ajo vuri në dukje se, prej 4 vitesh në varësi të kryeministrit është ngritur Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje e cila në ndërveprim me platformën elektronike, iu ka dhënë mundësi qytetarëve të paraqesin në çdo kohë ankesat e tyre kundrejt administratës për mosveprim apo pengim me pa të drejtë të kërkesave të tyre.
“Deri më sot mbi 43 mijë raste nga 78 mijë raste ka përfunduar shqyrtimi. Ndërsa në total janë 138 mijë nga 957 kërkesa dhe ankesa, mbi 50% e tyre kanë marrë zgjidhje. Ndërkohë që qytetarët kanë kryer 42 interpelanca me ministra të ndryshëm për çështje që kanë ngritur në këtë platformë. Por pavarësisht kësaj, agjencia ka hasur në vështirësi, që ka sjellë përgjigjet e vonuara për qytetarët apo realizimin e kërkesave, ndaj pr.ligji në fjalë i jep zgjidhje këtyre ngërçeve”, tha ajo.
Hapësirat ligjore në pr.ligj garantojnë transparencën dhe eficiencën e platformës si dhe do të sigurojë funksionimin e një institucioni ndërmjetës midis organit adminstrativ dhe
subjektit të interesuar për shqyrtimin e këtyre kërkesave, pa përjashtuar mjetet e tjera ligjore-administrative të parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative. Gjithashtu pr.ligji përcakton strukturat përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesës, afat, procedurat dhe përfundimin e kontrollit administrativ përmes platformës.
“Një tjetër element i rëndësishëm është ai i plotësimit dhe profilizimit të platformës “Me ty, për Shqipërinë që duam” me seksione të veçanta për secilin aspekt të veprimtarisë së Agjencisë. Përmendim këtu seksionet “Ankesa ime”, “Biznesi im”, “Nisma ime”, “Fjala ime” etj., të cilat u japin mundësinë qytetarëve dhe subjekteve të tjera të adresojnë problematika dhe kërkesa të të gjitha natyrave dhe formave, lidhur me veprimtarinë publike. Nëpërmjet këtyre seksioneve të posaçme do t’u mundësohet subjekteve të parashtrojnë çështje dhe propozime qoftë të sferës së thjeshtë administrative-ekzekutive, qoftë të asaj normative, për një trajtim ligjor të ndryshëm nga ai ekzistues të problemeve që i prekin”, theksoi Spiropali.
Së fundi, një tjetër risi e pr.ligjit është parashikimi i mjeteve dhe mekanizmave shtrëngues për garantimin e zbatimit të akteve të Agjencisë. Kështu, një vend të posaçëm në tekstin e projektligjit zënë dispozitat për kundërvajtjet, sanksionet administrative dhe inspektimin. Kjo risi vjen në kuadër të adresimit të problematikave të mosveprimit të organeve administrative, duke synuar rritjen e përgjegjshmërisë së tyre.
“Në sintezë të sa parashtruam më sipër, efekti i pritshëm i projektligjit është rritja
e efektivitetit të Agjencisë si instrument për garantimin e cilësisë së shërbimeve
publike dhe për përgjegjshmërinë e organeve administrative”, tha ajo.
Spiropali theksoi se, pr.ligji i jep mundësinë qytetarëve të nisin kërkesa edhe me shkrim pasi ka njerëz që nuk i përdorin mjetet digjitale. Çdo individ është i regjistruar dhe në asnjë rast nuk mund të jetë një anonim që bën kërkesë, ndërsa nuk ka afat për procedurat e kryerjes së kërkesë ankesës.
Deputetë të opozitës e kundërshtuan krijimin e kësaj Agjencie duke e cilësuar atë si mekanizëm që do të rrisë burokracinë për qytetarin.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se, “sa më shumë shtoni këto institucione aq më shumë shtohet korrupsioni dhe burokracitë për qytetarin”.
“Përqendrimi i funksioneve që kanë ministritë dhe institucionet tek këto agjenci që hapni decentralizojmë funksionet”, tha ajo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




