Parlamenti australian heton për predominancën e Murdoch

Botë | 6 vite më parë

Parlamenti australian do të hapë një hetim mbi pronësinë e medieve, njoftoi sot një senator, pas nënshkrimit nga mbi 500 000 qytetarë të një peticioni kundër predominancës së Rupert Murdoch në këtë sektor.

Ky peticion i publikuar në internet më 12 tetor nga ish-kryeministri laburist, Kevin Rudd, i cili ka qenë rregullisht shënjestër e gazetave të ”News Corp”, grupi i shtypit që i përket manjatit Rupert Murdoch, ka marrë një numër rekord nënshkrimesh.

Dega australiane e ”New Corps”, selia sociale e të cilës ndodhet në Nju Jork, është organizata më e madhe mediatike në vend duke poseduar gazeta në pothuajse të gjitha qytetet e mëdha si dhe rrjete televizive dhe revista.

Senatorja, Sarah Hanson-Young, një zyrtare e shquar australiane e cila i përket pakicës së Gjelbër, theksoi se Senati ka mbështetur dëshirën e saj për të hetuar mungesën e diversitetit në sektorin e medieve australiane.

“Shumë e lumtur kur pashë Senatin duke mbështetur këtë nismë dhe menjëherë duke hapur një hetim”, shkroi ajo në Twitter.

“Australianët janë gjithnjë e më të shqetësuar për përqendrimin e pronësisë në sektorin e medias dhe energjisë dhe ndikimin politik të Murdoch”, theksoi Hanson-Young.

Peticioni, i cili ishte në faqen e Parlamentit australian është nënshkruar 501 876 herë, shumë përpara rekordit të mëparshëm prej 404 538 nënshkrimesh të mbledhura në 2019 nga një peticion që i kërkonte qeverisë të shpallte një emergjencë klimatike.

Midis nënshkruesve bën pjesë një tjetër ish-kryeministër, Malcolm Turnbull, i Partisë Liberale, i rrëzuar në 2018 në një grusht shteti të brendshëm në Partinë Konservatore, mbështetur nga gazetat e Murdoch, i cili është me origjinë australiane.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme