Parlamenti rrëzon dekretin e presidentit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Parlamenti shqiptar ka rrëzuar të enjten dekretin e presidentit Ilir Meta për ligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Maxhoranca i kishte 96 për të hedhur poshtë këtë dekret. Kjo ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama, pavarësisht thirrjeve të presidentit Meta, opozitës dhe disa përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për të pritur vendimin e Komisionit të Venecias, lidhur me këtë çështje.
Presidenti Ilri Meta, pak ditë më parë refuzoi të dekretojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar nga mazhoranca dhe e riktheu për rishqyrtim, pasi sipas tij, cënohen parimet kushtetuese.
Por kryeministri Edi Rama e siguroi se sërish ligji do të votohet në parlament pa asnjë ndryshim. “Pa asnjë ndryshim pikë dhe presje do votojmë kodin siç është votuar nga parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund ta vërë në diskutim vullnetin e parlamentit dhe aq më pak Ilir Meta”, deklaroi Rama.
Në prag të rrëzimit në parlament të dekretit Meta, zoti Rama shkroi në rrjetet sociale. “Ligji Zgjedhor do të rivotohet sot pikë dhe presje, siç u votua dy javë më parë nga ky parlament që me Reformën Zgjedhore ka dëshmuar vullnet për kompromis mes të gjitha palëve! Ilir Meta nuk ka asnjë shans të marrë peng parlamentin e zgjedhjet, për hesap të partisë së tij të degraduar dhe përpjekja e tij për ta penguar me çdo kusht rrugën europiane të Shqipërisë, duke shpifur e fabrikuar baltë për veshët e botës do të ndëshkohet pa ekuivok nga shqiptarët në 25 prill!”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




