Partia Demokratike prezanton programin “Shqipëria Meriton më shumë”

Politikë | 2 vite më parë

Një vit para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri kreu i PD në opozitë Lulzim Basha, nisi prezantimin e programit  zgjedhor nën sloganin “Shqipëria Meriton më shumë”.

Detaje të programit u prezantuan në kuvendin e kësaj partie që u zhvillua në Parkun Olimpik në Tiranë.

Zoti Basha këmbënguli se partia e tij përfaqëson shumicën e vullnetit të qytetarëve shqiptarë. “PD është e vetmja forcë që zhvillon kuvend programor” tha ai.

Zoti Basha sulmoi ashpër qeverinë e kryeministrit Rama duke thënë se ajo është e kapur nga korrupsioni dhe paligjshmëria.

“Ne do të nisim rrugëtimin e paraqitjes së alternatives sonë, pasi vendi po qeveriset në mënyrë të papërgjegjshme” tha kreu i PD. “PD do të  organizoje debate me qytetarët” tha zoti Basha. “Nga kjo platformë, sot i hedh dorashkën çdo kundërshtari politik të debatojë me ne. Zgjidhjet tona. Por e dimë që çdo debat do t’i nxjerrë pa këpucë fare”, tha kreu i PD.

Ekonomia  ishte kryefjala e programit të paraqitur nga zoti Basha. Tërhoqën vemendje premtimet për shtimin e vendeve të reja të punës, rritja e pagave, vendosja e taksës së sheshtë, qeverisja e vogël, si dhe nxitja e konkurrencës.

Ra në sy premtimi për vendosjen e taksesës së sheshtë 9 përqind dhe e heqja e taksës progresive.

Zoti Basha u zotua që të ardhurat e qytetarëve të dyfishohen në katër vitet e ardhshme.

Tjetër premtim ishte kthimi i pronave 100 përqind.  “Mbi 80% e pronareve shqiptare sot nuk kanë letrat e tyre për një arsye apo për një arsye tjetër janë zinxhiri më i rëndë në qafën e ekonomisë së Shqipërisë. 80-100 shqiptar nuk kanë letrat e pronës, nuk jemi në mesjetë jemi më keq një problem që shoqëritë moderne e kanë zgjidhur prej 600 vjetësh, në Shqipëri vazhdon të kushtojë në bilancin e ekonomisë kombëtare dhe bilancin e ekonomisë familjare. Nuk ka reformë më të rëndësishme për Shqipërinë Evropiane, për mirëqenien ekonomike se ti japim fund problemit të pronës, të zgjidhim një herë mirë pasigurinë e problemit të pronës dhe të kthejmë në një mënyrë ose në mënyrë tjetër pronën tek i zoti 100%. Fatura për të kthyer vlerën e plotë pronarëve të shpronësuar është mbi 8 miliardë euro, jemi të vetëdijshëm se pa një mekanizëm që zhbllokon dhe zgjidh këtë çështje një herë e mirë, Shqipëria mbi jeton por nuk zhvillohet. Ndaj marrim përsipër brenda dy viteve të para të qeverisjes tonë të gjithë pronarët e shpronësuar të Shqipërisë do të marrim përsipër jo vetëm barrë financiare të konsiderueshme por dhe zgjidhjen e problemit të titujve sipas parimit kush e ka e gëzon”, u shpreh Basha.

Ndërsa theksoi se 40 përqind e ekonomisë është informale, zoti Basha tha se PD në qeverisje do t’u japi fund bilanceve të dyfishta.

Vend të rëndësishëm PD do ti kushtojë bujqësisë. Zoti Basha deklaroi se fermerëve do tu japi një mbështetje prej 100 milionë eurosh në vit. 

Lidhur me politikat e pensioneve zoti Basha premtoi rritjen e tyre. Sipas tij pensioni minimale do të jetë 25 mijë lekëve si dhe do të ketë bonuse periodike.  “Pensionistët shqiptar do të kenë një rritje vjetore dhe pensionet e ulëta do të kenë bonus periodike prej 250 mijë lekësh. Ndërkohë që modernizimi i sistemit të pensioneve dhe rritja ekonomike shqiptare do të na mundësojë që brenda mandatit të parë të rivitalizojmë skemën dhe ta sjellim në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe të bëjmë të mundur rritjen dhe shumëfishimin e pensioneve duke zhdukur diferencat e tmerrshme midis pensioneve të larta dhe pensioneve të ulëta”, u shpreh Basha.

Në programin e PD përfshihet fondi për mirëqenien e familjes, që parashikon 2,000 euro për çdo bebe dhe 20 mijë euro për fëmijën e trete.  30 mijë çifte të reja shqiptare do të marrin subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpinë.

Në program gjithashtu thuhet se do të ketë drekë për nxënesit në gjithë shkollat 9 vjeçare dhe të mesme dhe shkollë gjatë gjithë ditës kurse kompjuteri, gjuhë të huaj, klasa arti dhe klasa sportive deri në orën 16.

 

/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme