Partia e Lirisë çon amendamente në Kuvend në Buxhetin 2023: 100 euro në muaj për studentët, heqja e 10-fishimit të gjobave për bizneset

Partia e Lirisë do të çojë në Kuvend disa amendamente shtesë për buxhetin 2023, që sipas saj do të ndihmojë qytetarët dhe bizneset të përballojnë më lehtë krizën ekonomike.
Gjatë një takimi me Komitetin Kombëtar Drejtues të Rinisë, Kryetari i Partisë së lirisë Ilir Meta dhe kryetarja e LRI, Floida Kërpaçi prezantuan amendament që lidhen jo vetëm më arsimin por edhe me ndihmën e bizneseve dhe qytetarëve.
Partia e Lirisë do të propozojë pagën prej 100 euro në muaj për çdo student, librat falas për të gjithë sistemin shkollor 9-vjeçar, heqjen e gjobave 10-fish më të larta për bizneset, shtyrjen e taksimit për profesionet e lirë deri në kalimin e krizës si dhe plotësimit të kërkesës së pedagogëve për rritje të pagës me 50 % brenda dy viteve.
Këto amendamente sipas Metës vijnë në një kohë kur situata ekonomike në vend është drejt përkeqësimit dhe treguesit e shitjeve dhe konsumit janë në rënie. Meta shton se të gjitha përpjekjet e qeverisë për të reduktuar deficitin, janë në dëm të qytetarëve, bizneseve dhe prodhimit vendas.
“Të hiqet 10-fishimi i gjobave ndaj biznesit, antikushtetuese dhe jo proporcionale. Të anulohet rritja e akcizës për prodhuesit vendorë të birrës, rrezikon mijëra vende pune. Të anulohet taksa speciale për prodhuesit e energjisë elektrike, nuk nxit rritjen e investimeve në sektor. Kërkojmë shtyrjen e taksimit për profesionet e lirë deri në kalimin e krizës. Në projekt buxhetin 2023 do të jetë dhënia e studentëve shqiptarë nga 100 euro në muaj për të përballuar rritjen e çmimeve. Mbështetje për kërkimin shkencor, të shkojë të paktën 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto siç e kanë kërkuar pedagogët. Do të kërkohet plotësimi i kërkesës së pedagogëve për rritje të pagës me 50% në dy vite. Rritja e pagave të mësuesve duke filluar nga 1 janari, për të përballuar rritjen e çmimeve. Libra falas të rinj për çdo fëmijë nga klasa e parë në klasën e nëntë”, janë amendamentet që prezantoi Partia e Lirisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




