Pas 32 vitesh/ Orkestra Simfonike e Shkodrës, do të ketë në përbërje 45 instrumentistë

Ndonëse nuk kishte një koncert apo premierë, në Shkodër kishte emocione pasi rinisi nga puna pas një mungese prej 32 vitesh Orkestra Simfonike e Shkodrës, teksa mbrëmë në ambientet e Qendrës Kulturore “Kujtim Alija” do të ekzekutoheshin edhe notat e para muzikore pas kësaj ndërprerje të gjatë.
Dirigjenti, Jetmir Barbullushi shprehet se ekzistenca e kësaj orkestre do të ketë impakt në edukimin e brezave të rinj me muzikën e vërtetë.
Një moment historik dhe vazhdim i një tradite që zë fill nga Martin Gjoka e më vonë Prenkë Jakova e quajtën rifillimin e punës së kësaj orkestre dy muzikantët Gjon Shllaku dhe Markelian Kapidani.
Nisjen e punës së Orkestrës Simfonike të Shkodrës e përshëndeti edhe kryetari i bashkisë, Bardh Spahia teksa garantoi mbështetjen e tij dhe të institucionit që drejton.
Kjo orkestër pritet të ketë premierën e parë para publikut shkodran në muajin mars.
Orkestra Simfonike e Shkodrës do të ketë në përbërjen e saj 45 instrumentistë që nga ata të përvojës e deri tek më të rinjtë ndërsa me rithemelimin e saj plotësohet edhe kuadri i plotë i Filarmonisë së Shkodrës duke përfshirë instrumentistët solistë, korin polifonik dhe solistët lirikë dhe ata modern, formacionin e Orkestrës Frymore si dhe formacionin e muzikës moderne me këngëtarët përkatës duke ndikuar kështu në rigjallërimin e jetës artistike në qytet.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




