Pas kërcënimeve të Medvedev, Lavrov: Rusia do bëjë gjithçka që të kthjellojë NATO-n dhe BE-në

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Moska do të bëjë gjithçka që mundet për të “kthjelluar” Bashkimin Evropian dhe NATO-n, të cilat ai i akuzoi se synojnë të dobësojnë dhe mposhtin Rusinë. Komentet e tij erdhën në të njëjtën ditë kur ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, paralajmëroi NATO-n se një disfatë e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë një luftë bërthamore.
“Shpresoj se kthjellimi do të vijë. Ne do të bëjmë gjithçka që kolegët tanë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian të kthjellohen sa më shpejt”, tha Lavrov.
Deklaratën Lavrov e bëri gjatë një vizite në Bjellorusi, ndërsa dy vendet po organizojnë stërvitje ajrore, pjesë e një serie të gjatë aktivitetesh të përbashkëta ushtarake.
“Ne kemi një qëndrim të përbashkët se cilat synime duhet të arrihen dhe si të sigurohemi që as Rusia dhe as Bjellorusia të mos kërcënohen nga fqinjët tanë, qoftë Ukraina apo dikush tjetër”, tha Lavrov.
Stërvitjet e përbashkëta ajrore nisën të hënën dhe do të zgjasin deri më 1 shkurt, duke përdorur të gjitha aeroportet ushtarake të Bjellorusisë. Bjellorusia ka thënë se ata kanë natyrë thjesht mbrojtëse./ Reuters
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




