Pas takimit me Metën në selinë blu, Berisha: Në fokus ishte bashkëpunimi elektoral dhe parlamentar

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike i zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha ka zbardhur detaje nga takimi që ka zhvilluar sot me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Bashkëpunimi elektoral dhe parlamentar kanë qenë në fokus të bisedës, ka bërë me dije Berisha, i cili shton se palët diskutuan edhe për koordinimin e përpjekjeve “për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës”.

Pjesë e takimit kanë qenë edhe deputetët Flamur Noka dhe Petrit Vasili.

“Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PD, Flamur Noka, zhvilluam një takim me kryetarin e Partisë së Lirisë, ish Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Dr. Petrit Vasili. Në këtë takim u diskutua gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës. Bashkëpunimi elektoral, parlamentar dhe në të gjitha fushat ishin çështje për të cilat u diskutua me frymë të plotë mirëkuptimi”, shkruan Berisha.

Ky takim vjen 2 javë para mbajtjes së protestës së paralajmëruar prej tyre më 6 dhjetor, ditë që përkon me mbajtjen në Tiranë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Kjo është kritikuar jo pak nga maxhoranca, që e kanë cilësuar mbajtjen e protestës në këtë datë si “turp” dhe një veprim kundër BE.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme