Pasaporta evropiane për mbrojtjen e produkteve shqiptare “Made in Albania”, hartohet ligji i ri i

Ekonomi | 9 muaj më parë

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri “Për treguesit gjeografik dhe emërtimet e origjinës”, një nismë që synon të ndajë përfundimisht këtë fushë nga ligji i vjetër i vitit 2008.

Të gjithë grupet e interesit, prodhuesit dhe ekspertët kanë kohë deri më 4 Shkurt 2026 për të dhënë opinionet e tyre, pasi procesi i konsultimit ka nisur zyrtarisht.

Pse po ndryshon ligji?

Deri më sot, treguesit gjeografikë (si p.sh. gështenjat e Tropojës apo mjalti i Bedunicës) rregulloheshin nga Ligji për Pronësinë Industriale i vitit 2008. Sipas relacionit, ky ligj, duke përfshirë gjithçka nga patentat te markat tregtare, kishte rezultuar i pamjaftueshëm.

Projektligji bën përafrimin e plotë me dy Rregullore të rëndësishme të BE-së (të viteve 2023 dhe 2024), duke synuar disa risi kryesore. Për herë të parë rregullohet ligjërisht fuqizimi i grupeve të prodhuesve, duke u dhënë atyre rolin kryesor në aplikimin për mbrojtje.

“Ligji nuk mbron vetëm verën apo produktet bujqësore, por sjell rregulla specifike edhe për produktet e zejtarisë dhe ato industriale, duke hapur mundësi të reja për artizanatin shqiptar. Projektligji forcon masat ndëshkuese ndaj atyre që abuzojnë me emrat e mbrojtur. Parashikohen masa konkrete për bllokimin e produkteve, konfiskimin e mallrave dhe dëmshpërblimin e prodhuesve të ndershëm.”, thuhet në relacion.

Një risi tjetër është futja e konceptit të negociatave. Në rast se një palë e tretë kundërshton regjistrimin e një emri gjeografik, ligji i ri inkurajon zgjidhjen me pajtim mes palëve përpara se çështja të shkojë në rrugë administrative apo gjyqësore. Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) do të mbetet institucioni kyç për administrimin e këtyre proceseve.

Sipas relacionit shpjegues, ky ligj nuk pritet të ketë kosto shtesë për buxhetin e shtetit apo rritje tarifash për biznesin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme