PD akuzon Ramën se ndryshoi ligjet për t’i kaluar 22,4 ha tokë të afërmve në Vuno

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për tjetërsim të pronave në fshatin Vuno të Himarës.
Në një deklaratë nga selia blu, Ivi Kaso, Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, publikoi një dokument nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas të cilit 22,4 hektarë tokë i kanë kaluar trashëgimtarëve të afërm me kreun e qeverisë.
Sipërfaqja e tokës, sipas demokratëve, përllogaritet të ketë një vlerë rreth 30 milionë euro dhe për të realizuar regjistrimin e saj, z. Kaso akuzoi edhe ish-kreun e Kadastrës, Artan Lame.
Sipas demokratëve, aplikimi për ta regjistruar pronën ka nisur që në 2017-ën, kur ka pasur mungesë të hartave të sakta dhe dokumentacion të paplotë mbi pronën.
“Në këto kushte trashëgimtarët e familjes Koleka i drejtohen Gjykatës së Apelit Vlorë. Me Vendimin nr.49 dt. 19.03.2019:
• Njeh pronën prej 22,4 ha dhe bën pozicionimin e saj.
• Të gjitha Institucionet shtetërore, si ATP, ZRPP-Vlorë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave kanë braktisur gjykimin dhe vetëm Avokatura e Shtetit ka marrë pjesë një herë formalisht,” deklaroi z. Kaso, duke aluduar se ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria sociale i mundësuan të afërmve të kryeministrit ta regjistrojnë pronën në bashkinë jugore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




