PD: Auto-Moto Park në Elbasan, shqiptarët në krizë, qeveria bën shpenzime luksi

Politikë | 4 vite më parë

Auto-Moto Park në Elbasan është vënë në qendër të akuzave nga PD. Kryetari i PD në Elbasan, Blendi Himçi, deklaroi se Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të shpenzojë 11,1 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë, për ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse për të ashtuquajturin “kompleksi Auto-Moto Park në Elbasan, një pistë automobilizmi e gjate 5,3 km”.

Sipas tij, shqiptarët ndodhen në krizë ekonomike, ndërsa qeveria bën shpenzime luksi 11 mln euro për pistë garash, duke theksuar se taksat dhe detyrimet për banorët në këtë qytet do të rriten.

„Çdo e dhënë tregon se ky nuk do të jetë një dimër i lehtë për familjet shqiptare. Për të parandaluar efektet negative do të duhet që të kishim institucione të përgjegjshme që marrin masa dhe lehtësojnë efektet e kësaj krize, por e kundërta është duke ndodhur. Jam sot sërish përpara jush për të denoncuar një tjetër shpërdorim skandaloz të taksave jo vetëm të qytetarëve të Elbasanit por të gjithë Shqipërisë për të ndërtuar të ashtuquajturin Auto-Moto Park në Elbasan. Dua të sqaroj në krye të herës se Partia Demokratike nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë kundër projekteve zhvillimore, aq më tepër kur ato ndërtohen në Elbasan!”,- theksoi Himçi.

Sipas tij, nga të dhënat që Partia Demokratike disponon, rezulton që Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet të shpenzojë 11.1 milionë euro për të ndërtuar infrastrukturën mbështetëse për të ashtuquajturin kompleksi Auto-Moto Park në Elbasan, një pistë automobilizmi e gjate 5,3 km.

“Por ajo që është akoma e rëndë lidhet me faktin se ky projekt i Drejtorisë se Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor do të mbështetet financiarisht përtej vlerës prej 11.1 milionë eurosh me të tjera fonde nga qeveria dhe bashkia e Elbasanit. Pra kryetari i Bashkisë Elbasan, i vetmi që rrit taksat dhe tarifat për qytetarët e Elbasanit në faturën e Ujit, del garant të siguroj fonde nga buxheti i bashkisë për të ndërtuar pistën e automobilizmit. Pyetja që bën çdo njeri i përgjegjëshëm për situatën me të cilën po përballemi është: Çfarë e shtyn qeverinë shqiptare dhe Bashkinë Elbasan të mbështes një projekt të tillë me një kosto kaq të lartë për qytetarët? Sa efektive do të ishte që përballë pamundësisë së pensionistëve dhe familjeve në nevojë, që ky investim të shtyhej në kohë dhe me këto të ardhura të hartoheshin paketa lehtësuese për krizën? Është naive për këdo që mendon, se ata nuk janë familjarë me krizën që vendi po kalon. Arsyeja pse kanë zgjedhur ta çojnë përpara këtë pistë automobilizmi lidhet me përfitime financiare! Partia Demokratike ka zgjedhur që ndryshe nga Bashkia Elbasan të ketë vetëm një partneritet, atë me qytetarët! Kush beson se mund të bëj gjithçka me pushtetin dhe besimin e qytetarëve gabohet rëndë. Beteja për t’i rikthyer dinjitetin Elbasanit nuk është e largët.“-deklaroi Himçi.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme