PD : “Dënimi i Tahirit, prova se Shqipëria nën qeverisjen e Ramës u kthye në parajsën e drogës

Politikë | 5 vite më parë

PD e opozitës ka përsëritur të shtunën deklaratat e njohura të saj se me dënimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, provohet që Shqipëria nën qeverisjen e Ramës u kthye në parajsën e drogës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në një dalje nga selia e partisë, tha se dënimi i Tahirit është vetëm fillimi. 

“Dënimi i ministrit të Brendshëm më të vlerësuar e më të përkëdhelur të Edi Ramës, është prova e plotë dhe e madhe se Shqipëria nën qeverisjen e Rilindjes u kthye në parajsën e drogës.

Nën drejtimin e Tahirit dhe me bekimin e Edi Ramës, skenari i kanabizimit u bë një realitet i frikshëm duke mbledhur rreth këtij procesi bandat e krimit të organizuar” tha zoti Salianji.

Deputeti i PD kujtoi se partia e tij “ka denoncuar me mijëra herë kanabizimin e Shqipërisë, lidhjet e Ramës me krimin, përdorimin e kriminelëve për të grumbulluar vota dhe më pas dorëzimin e sovranitetit të shtetit në duart e bandave dhe krimit të organizuar”. 

Por PD “Depërtimi i bandave deri në strukturat më të larta të shtetit, abuzimi me pushtetin, dhunimi dhe grabitja e qytetarëve është fakt dhe paralajmëron që dënimi i Tahirit është vetëm fillimi, nisja e rugëtimit të ndëshkimit të abuzuesve me pushtetin”.

“Ai është dhe duhet të jetë i pari në një listë të gjatë të drejtuesve të rilindjes” tha zoti Salianji duke shtuar se “Për vite me rradhë, Edi Rama e mohoi kanabizimin e Shqipërisë”.

“Ai mbrojti “ministrin kampion”, ministrin më të suksesshëm të të gjitha kohërave sipas tij, që e shndërroi policinë në mbrojtëse të parcelave të hashsahit, ndërsa efektivat e policisë në ngarkues e transportues të lëndës narkotike” tha deputeti i PD për kreun dhe kryeministrin socialist Edi Rama.
Në fakt, mbronte projektin e vet ashtu si sot heshti, futi kokën si struci dhe e shiti si faj të vartësit të tij.

“Edi Rama mbrojti krimin e organizuar, pasi Saimir Tahiri nuk mund të vepronte pa mbrojtjen, mbështetjen dhe bekimin e Edi Ramës që është kreu i bandës.
Beteja jonë pakompromis në shërbim të interesit publik provoi se Edi Rama është i korruptuar” tha deputeti i PD Salianji.

“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë!
Qeveria e tij është e korruptuar.
Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim.
Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!” tha ai.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme