PD depoziton në SPAK padinë për energjinë

Politikë | 5 vite më parë

Nënkryetarët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj kanë depozituar sot në SPAK padinë për energjinë.

Në një prononcim për mediet, Tabaku shprehet se, “duke pritur që SPAK-u dhe drejtësia e re të vepronte në 10 ditët e fundit Partia Demokratike bëri thirrje pothuajse të përditshme, dje ishte hera e fundit për situatën në sektorin energjetik. Sot ne depozituam një kallëzim për 3 drejtuesit e 3 enteve publike, zotin Adrian Çela, zotin Ergys Verdha, zonjën Erina Rexhepi, të tre përgjegjës për krizën e korrupsionit për krizën e menaxhimit dhe për krizën që do të përjetojnë qytetarët shqiptarë në ditët e ardhme si rezultat i veprimeve korruptive të këtyre individëve nëse sektorin energjetik”.

“Çfarë ka ndodhur për ta përmbledhur thjeshtë. Qeveria shqiptare nëpërmjet këtyre 3 insituticioneve shiti energjinë me rreth 60 euro/kilovator ndërkohë që e bleu pak javë më parë me 240 deri në 260, edhe më lart se tregu. Ne kemi sjellë një shembull këtu që u vendos në dispozicion në fakt nga media i cili tregon se dëmi ekonomik është 10 milionë euro vetëm për një nga lotet, vetëm për një nga tenderat është 10 milionë euro”, tha ajo.

Tabaku shtoi se, “ndërkohë që bëhet fjalë për të gjithë periudhën, nëse do të ishte përdorur ajo sasi energjie që prodhohet këtu në Shqipëri nga prodhimet tona hidrore do të t’i kishim kursyer buxhetit të shtetit për të gjithë periudhën që po flasim 150 milionë euro. Unë e di që këto janë shifra të jashtëzakonshme. Kur flet me qytetarët shifra miliona euro janë jashtëzakonisht të larta, por këto janë asgjë krahasuar me ato që ka përjetuar ky sektor, me vjedhjet që kanë ndodhur atje, me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe me rritjen që do të sjellë në muajt në vijim në zinxhirin e ekonomisë rritja që do t’i bëjë kryeministri Rama energjisë elektrike për bizneset e mesme dhe bizneset e mëdha. Sot qytetarët shqiptarë po vuajnë krizën e korrupsionit dhe krizën e menaxhimit. Ne sollëm këtu emrat e 8 drejtuesve të institucioneve dhe enteve publike, por të gjithë e kanë të qartë se kjo ka ndodhur vetëm si rezultat i vullnetit politik të qeverisë, i mënyrës se si operon qeveria, i mënyrës se si kanë operuar në çdo sektor dhe i mënyrës se si po operojnë dhe sot duke e parë çdo krizë si mundësi për të vjedhur”.

“I bëjmë thirrje edhe një herë drejtësisë së re të ngrihet në lartësinë që i takon, të marrë vendime për qytetarët shqiptarë, të mos lejojë asnjë zyrtar sot në pushtet ta përdorë pushtetin për t’u mbrojtur, të marrë vendime që këto fonde të vjedhura, këto fonde korrupsioni me energjinë elektrike, që të gjithë do t’i vuajnë në kurriz në muajt në vijim, të kenë një përgjegjës përpara drejtësisë”, theksoi Tabaku.

Nga ana e tij, deputeti Enkelejd Alibeaj tha se “ky është i pari kallëzim që sapo depozituam duke respektuar të gjitha proceduarat edhe në rrugë korrespondence besoj juve që jeni këtu e kuptoni edhe i dini rregullat e depozitimit të kallëzimit përveç mënyrës fizike”.

“Është një kallëzim i cili, siç edhe zonja Tabaku e tha, i drejtohet tre drejtuesve të lartë administrativë, të cilët sot kanë në dorë energjinë e shqiptarëve, korrupsionin me sa duket, Adrian Çela, drejtori i OSHEE Group, Ergys Verdho Administrator i Korporatës Energjetike Shqiptare KESH, Erina Rexhepi me detyrë administrator i Furnizuesit të Tregut të Lirë. Për çfarë janë kallëzuar? Sepse do të duhet që serioziteti i këtij aksioni politiko-juridik t’ua bëj me dije juve dhe të gjithë publikut: Shpërdorim detyre, korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, moskallëzim krimi, të gjitha këto të kryera nën formën e grupit të strukturuar kriminal. Është kallëzimi i parë”, tha ai.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme