PD kërkesë KQZ: Vini në dispozicion kamerat e KZAZ 40 në Tiranë, dyshime për manipulim me metodën “treni bullgar”

Koalicioni PD-ASHM i ka dërguar një kërkesë KQZ, ku kërkon vënien në dispozicion të kamerave dhe pamjeve filmike të disa qendrave të votimi në KZAZ nr. 40 në Tiranë, pasi sipas saj ka dyshime se është përdorur metoda “treni bullgar” për manipulimin e votave.
Sipas PD-ASHM në një nga kutitë e votimit janë konstatuar një sërë fletësh që, sipas saj, kanë të njëjtën palosje, të njëjtat vula dhe të njëjtat defekte strukturore si dhe ngjyrë të ndryshme nga fletët e tjera të votimit.
“Këto elementë përbëjnë një tregues të drejtpërdrejtë manipulimi, pasi çdo devijim nga standardi i miratuar për fletën e votimit është i papranueshëm dhe i dënueshëm me ligj,” thuhet në kërkesën e PD-ASHM.
PD-ASHM ka kërkuar vënien në dispozicion të pamjeve filmike nga kamerat e vendosura në këto qendra votimi: QV nr. 1972-00, 1973-00, 1974-00, 1974-01, 1975-00 dhe 1975-01. Të gjitha në KZAZ 40.
Në KZAZ 40 gjatë ditës së sotme pati përplasje edhe mes Agron Shehajt dhe numëruesve. Vetë Shehaj pretendoi se disa fletë votimi po shpallen të pavlefshme në dëm të partisë së tij, me arsyetimin se kanë “ngjyrë të zbehtë”.
“Treni bullgar”, është një fenomen që përdoret për manipulimin e procesit zgjedhor, ku votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër. Ky fenomen i manipulimit të zgjedhjeve është përdorë për herë të parë në Bullgari.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





