PD kërkesë prokurorisë: Të hetohet kryebashkiaku i Divjakës, i dënuar për trafik të qenieve njerëzore! Kokoneshi: Shantazh!

Politikë | 4 vite më parë

15 deputetë të Partisë Demokratike i kanë kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë kryetarin e Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi për verifikim të të dhënave të tij në formularin e dekriminalizimit. Sipas PD-së rezulton se Kokoneshi të ketë qenë i dënuar për trafik të qenieve njerëzore në Itali dhe nëse prokuroria vërteton këtë akuzë atëherë kryetari i bashkisë së Divjakës ndodhet në kushtet e ndalimit për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik.

“Kryetari i Bashkisë Divjakë ka kryer trafik të qenieve njerëzore dhe veprimtari të paligjshme të lidhura me prostitucionin në Milano dhe për pasojë, ai ka qenë i arrestuar nga Policia Italiane dhe i dënuar me burg” – thuhet në kërkesën e PD për Prokurorinë e Përgjithshme.

Për këtë ka reaguar edhe vetë kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, i cili thotë se është i pastër dhe se akuzat ndaj tij kanë ardhur se ai po verifikon pronat e një biznesi që është në pronësi të anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Dritan Stërkaj, të cilin e ka denoncuar më herët për ushtrim dhune.

“Ka një vendim të prokurorisë 15 korrik 2019 ku figura ime është e pastër, pas kontrolleve brenda dhe jashtë shtetit. Akuzat kanë ardhur për shkak të një anëtari të këshillit kombëtar të PD, Dritan Stërkaj. Resorti i tij ‘Divjaka resort’ është strehë e Gazmend Bardhit. Ashtu si i kam kallëzuar në prokurori do t’i kallëzoj sërish! Gaz Bardhi do të më shantazhojë sepse po verifikoj pronat e Divjaka Resort”

Në reagimin e tij Kokoneshi ka akuzuar deputetin Gazmend Bardhit si të lidhur me anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD, Dritan Stërkaj. E menjëhershme ka qenë përgjigja e Bardhit, i cili thotë se këto akuza i ka dëgjuar më herët edhe nga Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku dhe të gjithë e dini se cili ishte rezultati.

“Lexova një reagim të një trafikanti qeniesh njerëzore të denoncuar nga vetë PS dhe mu kujtua Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku në akuzat ndaj meje. Ishte e njëjta gjuhë dhe të njëjtat argumente. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është prioritet dhe grupi parlamentar i PD ka qenë dhe do mbetet i vendosur për të pastruar politikën nga personat me rekorde kriminale. Trafikantët dhe të korruptuarit duhet të jenë në burg dhe jo në krye të institucioneve”, shkruan Bardhi.

Kërkesa e PD ndaj Prokurorisë së Përgjithshme

Formulari i dekriminalizimit të Fredi Kokoneshit

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme