PD përgatitet për Strasburg- Të mërkurën 40 deputetë protestojnë para PE, nesër mblidhet Kryesia

Demokratët do të mbledhin të hënë pasdite Kryesinë, për të përcaktuar vijimin e aksionit politik. Mbledhja vjen pas protestës së 7 tetorit dhe akteve të mosbindjes civile të deputetëve opozitarë në Parlament, sikundër edhe para nisjes së deputetëve në Strasburg.
Janë rreth 40 deputetë që, në 23 tetor në Strasburg, do të kërkojnë të ndërgjegjësojnë faktorin ndërkombëtar për situatën politike në Shqipëri, me pretendimin se në vendin anëtar të NATO-s, janë rikthyer burgosjet politike sikundër është, sipas tyre, masa e arrestit të shtëpisë për kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe dënimi me një vit heqje lirie për ish-deputetin, Ervin Salianji. Demokratet do t’i kërkojnë faktorit ndërkombëtar rritje të monitorimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Opozita, me akuzën se Qeveria nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të lira, ka shtruar si kauzë politike krijimin e qeverise teknike, si garanci për moscenimin e institucionit të votës së lire.
Në mbledhjen e Kryesisë, Partia Demokratike mund të miratojë edhe skenarin e akteve të mosbindjes civile jo vetëm në Kuvend, por edhe në terren, ku nuk përjashtohet edhe përcaktimi i një date për bllokimin e akseve rrugore të Tiranës dhe jo vetëm.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




