PD, Sula: Pensionistët janë zhytur në mjerim

Opozita vlerëson se gjendja e pensionistëve është zhytur në mjerim. Deputeti i PD, Dashnor Sula, deklaron se prej tre muajsh pensionistët marrin më pak se 15 mijë lek, në kohën kur çmimet e ushqimeve bazë janë rritur.
Sipas tij, mkinistrja e Financave doli në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se në shtator qeveria pritet të miratojë një paketë tjetër për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
“INSTAT ka botuar së fundmi indeksin e çmimeve për muajin korrik. Siç është konstatuar, dhe ngritur shqetësimi në mënyrë të vazhdueshme edhe nga qytetarët përmes “dritareve” të komunikimit kudo qofshin, çmimi i ushqimeve bazë ndryshon nga mëngjesi në darkë. Rritja më e madhe e çmimeve prej 14,5 %, vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 12,4 %. Ndërkohë edhe qiraja është rritur me 4,4 %, në krahasim me një muaj më parë. Eshtë e dhimbshme sesi qeveria po e monitoron mjerimin e familjeve shqiptare. Rritet me 14.5% çmimi i transportit, ndërkohë që ka filluar që në muajin korrik ulja e çmimit të karburantit në bursë, por bordi i vjedhjes në Shqipëri mblidhet vetëm kur bëhet fjalë për të rritur çmimin. Karburanti është motori i ekonomisë, dhe kjo qeveri ka ditur t‘i bjerë mu në kokë çështjes, për të mjeruar shqiptarët.“- shkruan Sula në rrjetet sociale.
Sipas tij, kategoria e dytë me rritjen më të madhe të çmimeve janë ushqimet bazë me 12.4%, megjithatë për ministrat e kësaj qeverie që jetojnë në rezidenca luksoze nuk përbën asnjë problem, ndaj prej tre muajsh ja kanë hequr ndihmën minimaliste për të përballuar krizën.
“Presim me kësmet në shtator thotë ministrja. Ndërkohë për oligarkët që marrin tendera me fond limit 99.9%, dhe koncesione, koha nuk pret, ndaj qeveria u dha atyre 60 milionë euro shtesë, pa dhënë mundësi diskutimi në parlament. Kjo është e tmerrshme. Por duket se më keq do bëhet. Nuk ka asnjë logjik tjetër veçse kjo sjellje e kësaj mazhorance të jetë e qëllimtë për të ulur forcën e reagimeve të qytetarëve nga varfëria, ose për të nxitur shpopullimin.“,- komenton deputeti i PD, Sula.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




