Peleshi vizitë në Maqedoninë e Veriut: E ardhmja e dy vendeve, integrimi euroatlantik

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut si vende aleate të NATO-s rikonfirmojnë mbështetjen reciproke dhe ndajnë qëndrimin e përbashkët se e ardhmja e rajonit i përket integrimit euro-atlantik.
Ky qëndrim u theksua nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi gjatë vizitës së tij në Shkup, ku u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferri, ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani si dhe homologen e tij Radmila Shekerinska.
Gjatë takimit me ministren e Mbrojtjes Radmila Shekerinska u nënvizua rëndësia e intensifikimit të aktiviteteve të përbashkëta, por edhe mundësia për rishikimin e përshtatjen e kuadrit ligjor të këtij bashkëpunimi me aktualitetin.
Dy ministrat ndanë të njëjtin qëndrim për të rritur bashkëpunimin dypalësh, sidomos në fushën e arsimimit, edukimit dhe stërvitjes, mbrojtjes civile, por dhe zhvillimeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, ku u përmend dhe konkretisht një qasje rajonale për projektin DIANA në kuadër të NATO-s.
Një fokus të veçantë gjatë takimit mori dhe ndërveprimi në iniciativat rajonale, US-A5, SEDM, etj, por dhe në Qendrën Rajonale për Marrëdhëniet me publikun.
Ministrat Peleshi e Shekerinska theksuan mbështetjen për politikën e dyerve të hapura në rajon. Nga ana e tij, ministri shqiptar falenderoi homologen e Maqedonisë së Veriut për qasjen pozitive dhe aktive ndaj Kosovës.
Në takimet e tjera me drejtuesit kryesorë të politikës në Maqedoninë e Veriut u fol gjerësisht për situatën aktuale politike atje, perspektivën euro-atlantike të dy vendeve si dhe zhvillimet aktuale në mjedisin e sigurisë dhe mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor.
Ministri Peleshi falënderoi Xhaferrin dhe Osmanin për qasjen konstruktive ndaj çështjeve që prekin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe për rolin që ata, por dhe i gjithë faktori shqiptar ka për të ardhmen e shtetit dhe prosperitetin e gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




