Për RTSH, xhaxhai i Aleks Nikës pas vendimit të “Strasburgut”: Basha, Berisha të shkojnë para drejtësisë

Apeli i familjarëve të Aleks Nikës për drejtësi pas vrasjes të të dashurit tyre më 21 janar 2011 është dëgjuar në Gjykatën e Strasburgut, e cila i ka vlerësuar të padrejta disa nga veprimet e autoriteteve shtetërore të kohës.
Në familjen e të ndjerit Nika, xhaxhai i tij, Mark Nika, tha për RTSH-në se vendimi i Strasburgut qe i pritur.
Shkelja e së drejtës për jetën, dhuna nga autoritetet, moskryerja në kohë e ekspertizës janë disa nga konstatimet e Gjykatës në vendimin për të vrarin e 21 Janarit.
“Për ne ishte një vendim i pritur. Familja e Aleksit dhe ne falënderojmë Gjykatën e Strasburgut për këtë vendim të drejtë dhe të detyrojë drejtësinë shqiptare ta ndjekë deri në fund, nga fillimi. Drejtësia jonë ka heshtur dhe ka neglizhuar dhe çështja ka ngelur në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës,” u shpreh z. Nika.
Sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, gjatë protestës së 21 janarit 2011 u përdor dhunë nga autoritetet dhe ka dyshime se videoregjistrimet rreth vrasjes u fshinë qëllimisht pas tragjedisë.
“Është krim shtetëror dhe pas tij janë fshehur politikanë të cilët vegjetojnë në parlament, në qeverisjen e vendit. Ata na vranë, na përçudnuan, nuk u morën me çështjen tonë dhe sot e kësaj dite u bënë 13 vjet që ne po vuajmë dhe ata nuk e ndjejnë dhimbjen tonë. Janë marrë me sofizma, procedura të pakuptimta. Është e provuar dhe është pranuar nga vetë udhëheqësit e Partisë Demokratike, nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Ata të hetohen dhe nëse kanë përgjegjësi direkte, të shkojnë para drejtësisë,” u shpreh z. Nika.
Çështja e lezhjanit Aleks Nika, i cili u vra në demonstratën e 21 Janarit përpara kryeministrisë, u dërgua në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga familjarët e të ndjerit. Prej 13 vitesh ata kërkojnë drejtësi për krimin e ndodhur në mes të bulevardit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




