Përballja Basha-Veliaj për shpifje, Gjykata e Lartë: GJKKO, gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes

Gjykata e Lartë i kërkon Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të shqyrtojë padinë penale të kryetarit të PD, Lulzim Basha, në adresë të kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj. Në vendimin e parë të njesuar të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë përcaktohet e rruga se si duhet të veprohet në këto raste.
Njoftimi i Gjykatës së Lartë
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në seancën gjyqësore të datës 27.07.2021, mbi çështjen penale nr. 52810-227-2021, në lidhje me çështjen e ngritur për njësimin e praktikës gjyqësore, vendosi të mbahet ky qëndrim:
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e të gjitha akuzave penale të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm të parashikuar nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e akuzave penale, në të cilat akuza në gjykim përfaqësohet nga prokuroria si dhe për gjykimin e akuzave penale të viktimës akuzuese, të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm, sipas nenit 59 të K.Pr.Penale.
Në lidhje me çështjen, Kolegji vendosi:
Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lendore ndërmjet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shqyrtimin e çështjes penale me nr.227/2021 Regj.Them, datë regjistrimi 30.03.2021 me viktimë akuzuese Lulzim Basha, kundër të akuzuarit Erion Veliaj për veprën penale “Shpifja” parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, duke përcaktuar Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Pare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




