Përfundon 50 % e punimeve në lotin e 2 të Unazës së Madhe

Në Unazën e Madhe të Tiranës po punohet pa pushim për të përmbyllur sa më shpejt këtë vepër të rëndësishme për kryeqytetin.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në lotin dy, segmenti mbikalimi i “Pallatit me Shigjeta” -sheshi “Shqiponja”, ku deri më tani janë realizuar 50% e punimeve e ku po avancojmë përditë për të përfunduar e vendosur në dispozicion të qytetarëve.“Është vlerësuar hapja e segmentit, të mbikalimeve në lotin e dytë edhe ecurinë e punimeve e kemi 50%. Në unazën e Tiranës, në lotin e dytë dhe të tretë, të gjitha pjesët që janë hapur janë përfundimtare dhe nuk kemi asnjë plan t’i mbyllim. Devijimi i trafikut është një vendim që merr ARRSH për t’i mundësuar kompanisë të punojë dhe qytetarëve të kalojnë. Ashtu si në të gjitha projektet që janë nisur në Unazën e Tiranës, është dashur të rishikohet projekti. Kemi bërë ndërhyrjet e duhura sa i përket trotuareve, ndriçimit”, deklaroi ministrja.
Sipas ministres Balluku, për të gjitha projektet brenda zonave urbane janë pasqyruar të gjitha kriteret që infrastruktura kërkon në zonat urbane.“Jam shumë e kënaqur me nivelin e ecurinë dhe raportet që marr nga ARRSH për cilësinë e punimeve. Janë marrë të gjitha masat për mbledhjen e ujërave dhe kullimin e tyre, që të mos kemi përmbytje në kohën e vjeshtës dhe dimrit duke qenë se në këtë vepër kemi mjaft tunele dhe nënkalime. Kemi vënë një afat që është 31 gushti për t hapur lotin 1. Po ashtu në këtë afat ne hapim tunelin e 5 dhe më pas vazhdojmë me të gjitha dorëzimet e pjesëve të tjera”, tha ministrja.
Ministrja informoi se në pjesën lindore, pjesa e segmentit nga TEG-u deri te materniteti i ri do të përfundojë brenda vjeshtës që të lidhim të gjitha lotet.“Janë dashur ndërhyrje dhe vepra arti për 2.3 km që nuk bëhen as në 60 km. Unaza e Madhe e Tiranës do marrë një formë që të nisim procedurat për sa i përket pjesës së re, për të lidhur sheshin “Shqiponja” me “Bulevardin e ri””, u shpreh Balluku.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




