Përfundon mbledhja maratonë e qeverisë, Rama: Kaluam në skaner çdo sektor përgjatë 2022, miratuam objektivat e 2023

Politikë | 4 vite më parë

Vetëm pak minuta më parë është mbyllur mbledhja “maratonë” e qeverisë, e cila ka zgjatur rreth 16 orë e 25 minuta. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri, Edi Rama, i cili, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, bëri të ditur se bashkë me ministrat kanë kaluar në skaner çdo sektor të vitit 2022, si dhe kanë hedhur piketat për vitin 2023 me theks tek njerëzit në nevojë.  

“Maratona e diskutimit të fillimvitit në qeveri sapo mbaroi pas 16 orë e 25 minutash, ku kaluam në skaner çdo sektor për vitin që sapo iku dhe debatuam e miratuam objektivat konkretë të këtij Viti të Ri, i cili do të jetë një vit më pranë njerëzve, duke u nisur gjithnjë nga ata më në nevojë.”- shkruan Rama.

Pak para përfundimit të mbledhjes, kreu i qeverisë informoi edhe për fiskalizimin duke e komentuar atë si “një histori suksesi”.

“Fiskalizimi një histori suksesi me 100% të biznesit të madh dhe 93% të të voglit tanimë online 24/7, d.m.th më shumë transparencë, më pak informalitet. Deklarimet, Paga dhe Sigurimet janë rritur me 7% në sektorin privat vetëm nga formalizimi, falë kontrolleve sensibilizuese. Investimet e huaja direkte 984 mln € janar- shtator 2022 ose 255 mln € më shumë se janar-shtator 2021”,- shkruajti Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme