Përkujtimi i viktimave të Holokaustit, Alibeaj: Histori e njohur për shqiptarët, politika paranojake gjen zgjidhjen te asgjesimi

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, pas përkujtimit të viktimave të Holokaustit, bëri thirrje që krime të tilla të mos ekzistojnë më. Alibeaj u shpreh se Holokausti ishte një ideologji politike që zgjidhjen e gjeti të shfarosja e popullit dhe nuk kurseu askënd. Për Alibeajn, Holokausti ishte një ideologji fondamentaliste që mori jetë në të gjithë botën dhe u rrit përballë indiferencës. Por siç shprehet demokrati, për shqiptarët, Holokausti nuk është histori e panjohur, pasi populli ynë ka parë kampet e Spaçit, Tepelenës e Maliqit, kampe të shkatërrimit të njeriut.
“E keqja ka qenë e pranishme në jetët njerëzore. Është përpjekur të hyjë aq thellë te njeriu dhe shoqëria dhe është futur në inde. Holokausti ëhstë krejt i përbindshëm ndaj popullit hebre, dëshmi e faktit se djallëzorja merr forma të pamendueshme. Si një ide e çmendur e veshur me politikë, mund të ecë, të rritet dhe të duket sikur është normale, e pranuar dhe e vlefshme. Ideologji fondamentaliste që mori jetë në gjithë botën dhe u rrit përballë indiferencës. Ideologji politike që e gjen zgjidhjen te shfarosja e një populli, një makineri vrastare që ndërton kampe dhe dhoma gazi për të zhdukur një popull të tërë. Krime që nuk kursejnë askënd. U quajtën rracë, popull pa identitet feta, se si turbelulozi përhapet dhe infekton.
Nisi dhuna, më pas internimi, vrasjet dhe krimet. Për ne shqiptarët kjo ëhstë histori e përjetuar. Ne shqiptarët e njohim këtë dhuimbje dhe e dimë çdo të thotë dehumanizëm, dhunë e genocid. Se çfarë sjell një politikë që e sheh zgjidhjen te asgjesimi.
Kampe të shkatërrimit të njeriut. Në to qenia njerëzore reduktohet në skelet dhe njeriu zhvishet nga ajo që e bën njeri. E ne shqiptarët e njohim mirë këtë gjendje, se kemi parë kampet tona në Spaç, Tepelenë e Maliq. Sot përjetësojmë vuajtjen dhe dheimbjet, për të treguar se plagë të tilla nuk mbyllen kurrë. Kujtojmë Holokaustin për të treguar se liria është vetëm një brez larg zhdukjes. Për të duhet luftuar çdo ditë. Nazizmi lindi, u rrit, kreu krimet nga indiferenca. Ai humbi dhe u gremis nga angazhimi i botës nga ana e së mirës. Kurrë më të mos ketë krime të tillë”, tha Alibeaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



