Përmbytjet/ Alibeaj kërkesë qeverisë: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë për qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Enkeljd Alibeaj i ka kërkuar këtë të martë Qeverisë, shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet. Në një dalje për mediat, Alibeaj kërkon marrjen e masave të nevojshme për përballimin e situatave të vështira, kryesisht në zonat më të prekura nga përmbytjet. 

“Situata e reshjeve të ditëve të fundit ka shkaktuar problematika të rënda në zona të ndryshme të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Si pasojë e përmbytjeve janë dëmtuar arat me të mbjella, bagëtitë, shtëpitë e qytetarëve, pasuri të trashëgimisë kulturore, si rasti i Urës së Bahcallëkut në Shkodër. Por, ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, sic ishte rasti i tragjik i humbjes së jetës së dy qytetarëve, babë e bir, në Malësinë e Madhe. Nisur nga ky bilanc tragjik për shëndetin, jetën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve të këtyre zonave, kemi kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore si dhe marrjen e masave të nevojshme”, tha Alibeaj.

Reshjet e shiut kanë mbërthyer vendin, duke sjellë përmbytje në disa zona, kryesisht në veri të vendit, por edhe në qytetin e Durrësit. Në qytetin e Shkodrës, situata duket më e qetë, ditën e sotme, ku sipas raportimeve të fundit, 1685 hektarë sipërfaqe toke është përmbytur, ndërsa janë evakuuar 26 familje.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme