Përmbytjet/ Meta: Shkaktuar nga keqmenaxhimi! Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë përgjegjëse qeverinë për përmbytjet në vend, shkaktuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se situata u krijua si pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit, ndërsa kërkoi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Po ashtu, Meta akuzoi qeverinë se masat e marra ishin minimale dhe shumë të vonuara.
“Përmbytja nuk erdhi nga shiu dhe Perëndia, por nga korrupsioni, sidomos sa i takon keqmenaxhimit të sektorit të energjisë elektrike. Hektarët e përmbytur në Shkodër dhe qindra shtëpi të përmbytura e shumë familje të evakuuara, ndërkohë që Bashkia e Shkodrës dhe qytetarët nuk u paralajmëruan. Edhe ne Lezhë sipërfaqja e përmbytur llogaritet 1300 hektarë. Kjo situatë kritike është edhe në Fushë Krujë. Edhe qyteti i Durrësit, me probleme shumë të mëdha në zonën e kënetës dhe me zonën përherë të përmbytur që është qendra e betonizuar e këtij qyteti. Fondi vjetor i bordit të kullimit për të gjithë veriun është vetëm 80 mijë euro në vit. Aq sa vjedh vetëm për një ditë inceneratori i Tiranës. Të gjitha veprimet kanë qenë tepër minimale dhe të vonuara dhe vetëm pasi situata kishte dalë nga kontrolli”, tha Meta.
Teksa i bëri thirrje qeverisë të dëmshpërblejë qytetarët që janë prekur nga përmbytjet, Meta akuzoi si përgjegjës për situatën e krijuar edhe KESH, duke theksuar se ka një keqmenaxhim të kaskadave.
“Më e rënda është që KESH e bleu energjinë më shtrenjtë dhe e shet më lirë tani në bursë. Dështoi edhe sistemi satelitor që e paguam për të parashikuar me saktësi motin. Kjo situatë rrezikon të përkeqësohet me masa të improvizuara dhe është e domosdoshme që shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet të bëhet menjëherë sepse kemi të bëjmë me fatkeqësi natyrore të shkaktuar nga keqmenaxhimi i kaskadave tona nga qeveria dhe duhet të dëmshpërblejë qytetarët”, theksoi kreu i PL.
Prej disa ditësh tashmë, vendi është përfshirë nga reshje të dendura shiu që kanë shkaktuar problematika në disa zona. Situata paraqitet më e qetë këtë të martë, por ende ka sipërfaqe toke nën ujë në Shkodër e në Lezhë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




