Përmbytjet në Kinë/ Pekini forcon argjinaturat e lumenjve. Shtohen operacionet e shpëtimit

Tajfuni “Doksuri”, i cili solli me vete shira të rrëmbyeshme duke goditur Kinën Veriore dhe rajonin midis Lumit të Verdhë e lumit Huaihe prej një jave, ka shkaktuar përmbytje në shumë zona në provincën Hebei dhe në pjesën jugperëndimore të Pekinit.
Në kryeqytetin kinez, sasia e reshjeve shënoi rekordin e 140 viteve të fundit, sipas Administratës Meteorologjike atje. Bashkia e qytetit të Pekinit njoftoi se janë regjistruar 11 humbje jetësh nga përmbytjet dhe 27 persona rezultojnë të humbur.
Përmbytjet që i kthyen rrugët në lumenj, rrëmbyen automjete, sollën rrëshqitje dheu dhe shkaktuan ndërprerjen e furnizimit me ujë e energji, si edhe të sinjaleve të komunikimit. Ndërkohë, në provincën Hebei, 9 veta humbën jetën dhe 6 të tjerë janë shpallur të humbur.
Ndërsa, në Zhuozhou, 133 913 njerëz dhe mbi 65 hektarë tokë bujqësore u prekën nga përmbytjet. Lumi Haihe me 13 degët e tij rrezikojnë të dalin nga shtrati dhe Komanda e Kontrollit të Përmbytjeve dhe Përballimit të Thatësirave bashkë me Ministrinë e Burimeve Ujore kanë planifikuar punët e mëtejshme për parandalimin e përmbytjeve dhe të shpëtimit.
Ministria e Financave dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave shpërndanë rreth 15.35 milionë dollarë nga fondi qendror i shpëtimit për ndërhyrjet në terren, ndërsa afro 2 milionë dollarë dha edhe Federata Pankineze e Sindikatave.
Gazetar A. Mata
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




