Përmbytjet në Lezhë, Rama: Të prekurit dhe hektarët nën ujë janë në numra minimal falë sistemit të kanalizimeve

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar zonën e përmbytur në Lezhë nga lumi i Gjadrit. I shoqëruar nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu, Rama pa nga afër problematikat, ku  theksoi se falë sistemit të kanaleve kulluese të prekurit nga përmbytjet dhe hektarët nën ujë janë në numra minimal krahasuar me përmbytjet në të kaluarën.

“Siç vendosen kamerat në mënyrë të qëllimshme po ta shohësh nga pasqyrat mediatike duket një situatë qameti, por këtu është një situatë problematike në disa pika që ka qenë gjithmonë. Falë punës sistematike të bëra ndër vite uji tashmë tërhiqet thuajse menjëherë kur pushojnë prurjet. Numrat e të prekurve janë minimal dhe shumë herë më pak ka hektarë nën ujë krahasuar me vite më parë. Këto zona kanë qenë përherë problematike edhe në kohët më parë. Kjo se i gjithë sistemi i kanaleve funksionon”, tha Rama.

Edhe kryebashkiaku Ndreu tha se problematikat janë duke u monitoruar kryesisht në zonën e Torovicës, që ka qenë gjithmonë e prekur nga përmbytjet.

“Janë hapur kanalet kulluese që lehtësojnë përmbytjet, pavarësisht se kjo zonë përmbytet përherë për shkak të nën nivelit të saj. Kjo vjen si pasojë e Gjadrit kur fryhet Drini. Dhe kur fryhet Drini nuk përthith më Gjadrin dhe kalon këtu. Kemi 1300 hektarë nën ujë, po r shpërndajmë pako ushqimore për familjet e prekura dhe jemi në ndihmesë të tyre”, tha Ndreu.

Rama shprehet gjithashtu se me gjithë dendësinë e madhe të reshjeve, perimetri i tokave nën ujë është zvogëluar, ndërkohë që nuk ka prani uji në asnjë shtëpi dhe nuk ka arritur as 50 numri i familjeve që kanë pasur nevojë për ndihmë, dhe e kanë marrë menjëherë nga bashkia.

“Mbetet objektivisht përherë problem gjithsesi kur fryrja e Drinit nuk e lejon përthithjen e ujërave nga Gjadri dhe uji tërhiqet me vështirësi nga kjo zonë nën kuotë pranë Torovicës”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme