Përplasja e titanëve, gjykatësi vendos datën, Musk dhe OpenAI përballen në gjyq më 27 Prill

Beteja ligjore më e bujshme e botës së teknologjisë tashmë ka një datë zyrtare. Një gjykatës në Kaliforni ka vendosur që procesi gjyqësor mes miliarderit Elon Musk dhe kompanisë së inteligjencës artificiale, OpenAI, të nisë më 27 prill.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, gjykata ka caktuar këtë afat për fillimin e përballjes që pritet të zbulojë prapaskenat e themelimit të krijuesit të ChatGPT.
Thelbi i padisë
Elon Musk, i cili ishte bashkëthemelues i OpenAI në vitin 2015, ka paditur kompaninë dhe Drejtorin Ekzekutiv të saj, Sam Altman. Musk pretendon se OpenAI ka shkelur marrëveshjen fillestare kontraktuale dhe misionin e saj themeltar.
Sipas padisë së Musk, OpenAI u krijua fillimisht si një organizatë jofitimprurëse me qëllimin e vetëm për të zhvilluar inteligjencë artificiale të sigurt në të mirë të njerëzimit.
Ai akuzon Altman dhe drejtuesit e tjerë se e kanë transformuar atë në një entitet fitimprurës, duke devijuar nga parimet e transparencës (“open source”) për të maksimizuar fitimet korporative.
Ky gjyq pritet të jetë një nga ngjarjet më të ndjekura në Silicon Valley, pasi mund të përcaktojë të ardhmen e kontrollit mbi zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




