Përplasja me armë mes demokratëve në Kurbin, Berisha: U morën masa disiplinore! Më 6 dhjetor populli do i japë mësimin e duhur Ramës

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët ka komentuar përplasjen me armë që ndodhi në Kurbin mes dy demokratëve, ku sqaroi se ndaj tyre janë vendosur masa disiplinore. Kreu demokrat u shpreh se në tërësi procesi i primareve ka ecur normalisht, ndonëse ka patur dhe raste sporadike.

“Në tërësi procesi i primareve ka ecur normal. Ka patur një problem serioz në degën e Kurbinit dhe në dijeni time Komisioni ka vendosur masa disiplinore ndaj dy kandidatëve. Cilido që mendon për mënyra të tjera përveç votës në këtë proces gabon shumë rëndë. Me datën 4 do të bëhen primaret, ftoj të gjithë kandidatët të gjitha degët të bëjnë maksimumin për një proces transparent dhe ftoj Komisionin të dorëzojë sa më shpejt listat.

Ky proces bazohet në votimin e anëtarëve dhe votimin e simpatizantëve. Për të minimuziuar në një shkallë të caktuar ndikimet e tërësisë së anëtarëve, ndikimet e njëanshme, kandidatëve iu janë dhënë formularë, e drejta për të tërhequr formularë dhe e drejta për të inkurajuar simpatizantët që të regjistrohen. Në tërësi ky proces ka ecur shumë mirë, ka patur raste sporadike se ky është socialist. Mirë nuk është, por edhe krejtësisht apriori nuk mund ta hedhësh poshtë këtë. Për këtë fazë ka një diskutim. Në tërësi ato janë të kufizuara dhe mendoj se nuk ndikojnë në rezultate. Nuk kam një numër”, tha Berisha, ndërsa shtoi se kandidatët e PD për bashkinë e Tiranës kanë bërë fushata civilizuese, çka për të jep garanci për fitoren e 14 Majit.

“Për Tiranën më mirë se kushdo tjetër e dini ju, keni ndjekur garën dhe keni parë se ka qenë ndër më të civilizuarat. Se kush është i favorizuar këtë se di. Do e tregoj dita e dielë. Cilido, paragjykimi nuk shërben.

Duhet të falënderoj të 7-të kandidatët e Tiranës të cilët u bënë imazhi i kësaj gare me civilitetin e tyre, me paraqitjen para anëtarësisë. Secili prej tyre ka bërë fushatë për veten e vet dhe ky ishte një sukses i vërtetë. Kjo është garanci e madhe për fitoren e 14-majit”, tha Berisha.

Ndalur te protesta e 6 dhjetorit, Kryedemokrati theksoi se qeveria do marrë mësimet e duhura dhe sipas tij, populli opozitar do u japë përgjigjen që meritojnë. “Ne do zbatojmë Kushtetutën me përpikmëri. Kemi shpallur protestën tonë në bulevard. Pikë. Edi Rama kërkon përballje, ne do përpiqemi ta shmangim atë ditë, por mund t’ia rezervojmë kur të dojë.

Nëse ai kërkon përballje është punë e tij, ai i bën llogaritë gabim. Populli opozitar po përgatitet mirë për ti dhënë përgjigjen që meriton. Kryetar organizate kriminale që s’njeh ligj moral është ky. Ai ka nevojë për të marrë mësimet e duhura”, u shpreh më tej Berisha.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme